1 Korrik, 2020 - 10:00 pm
Procesi i restaurimit të kishës së Shën Mërisë Hyjëlindëse në Manastirin e Zvërnecit, monument kulture i kategorisë së parë, pritet të përfundojë së shpejti, ndërsa pritet të fillojnë dhe ndërhyrjet restauruese në fjetoren e ndodhur brenda këtij manastiri.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, Orgest Feimi, tha sot për ATSH-në se “projekti është hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me DRKK Vlorë, investimi po kryhet nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë”.
Këto ndërhyrje restauruese, nën mbikëqyrjen e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, po kthejnë në identitet një nga monumentet më atraktivë dhe të rëndësishëm, të besimit të krishterë në jug të Shqipërisë.
“Projekti konsiston në ndërhyrje restauruese për riparimin e plotë të çatisë, problematikë e madhe dhe konstruktive paraqiteshin në katër prej kolonave që përbëjnë harkadat e kishës në pjesën e Ikonostasit”, – theksoi Feimi.
Ai bëri të ditur se është bërë restaurimi ose konsolidimi i dyshemesë së kishës në ato pjesë ku ka pasur probleme, fugatimi i të gjithë pjesës perimetrale të kishës duke përfshirë kupolën, muret dhe të gjitha muret e brendshme.
“Po ashtu është bërë sistemimi i rrjetit nëntokësor të ujërave të kishës. Më pas do të vendosen dyert, dritaret, lyerja e pjesëve të brendshme të kishës dhe restaurimi i plotë i këmbanores”, – tha Feimi.
Sipas tij, shumë shpejt pasi të miratohet edhe projekti do të nisë restaurimi i fjetores, që është pjesë integrale e manastirit të Zvërnecit.
Kisha e Shën Mërisë Hyjëlindëse në Manastirin e Zvërnecit daton në shek. XIII-XIV, duke u bazuar në trajtimin e fasadave në arkada, si dhe ngjashmërisë me kishën e Shën Kollit në Kurjan të Fierit. Në një mbishkrimin në gur te porta kryesore e hajatit jepet edhe viti 1884. Ky vit ka të bëjë me ndërtimin e hajatit, eksonarteksit dhe kambanores. / Atsh / KultPlus.com