10 Nëntor, 2021 - 9:30 pm
Ura e Vokopolës, monument kulture i kategorisë së parë në Berat, është kthyer në identitet pas punimeve restauruese.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ‘Berat’ bën të ditur se “punimet u përqendruan në heqjen e betonit mbi kalldrëm, restaurimin e kalldrëmit me gurë lumi, konsolidimi i muraturës së harkut të madh, pastrimi nga bimësia, etj.”.
Projekti për restaurimin e urës së Vokopolës u hartua dhe u financua nga DRTK Berat dhe Ministria e Kulturës.
Kjo urë, e cila lidh fshatin Vokopolë me atë të Tërpanit, përbëhet nga harku kryesor dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.
Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët. Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim, i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padeshifrueshëm.
Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës. / KultPlus.com