20 Shtator, 2018 - 3:49 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në takimin e radhës të Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi. Ai, para Komisionit Parlamentar, u shpreh se pjesëmarrja e Kosovës në programin Evropa Kreative është me rëndësi të veçantë për mbështetje të sektorit kulturor .
Në këtë takim, ministri Gashi propozoi aprovimin e Projektligjit nr. 06/L-102 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative.
Marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative është nënshkruar më 05 qershor 2018 me Komisionerin Evropian për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Rini, Tibor Navracsis. Ministri njoftoi se e njëjta është proceduar për aprovim në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe është aprovuar në mbledhjen e datës 31 Korrik 2018.
Ministri Gashi foli për përmbajtjen dhe rëndësinë e aprovimit të këtij projektligji. Ai tha se pjesëmarrja e Kosovës në kuadër të këtij programi është me rëndësi të veçantë, pasi që mbështetja për sektorin kulturor dhe audiovizual nga programi është në përputhje dhe me politikat prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës e në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Programi Evropa Kreative kontribuon ndër të tjera dhe në ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor, në nxitjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përshtatjen e sektorëve kulturorë dhe kreativ me epokën digjitale si dhe në krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës”, tha po ashtu ministri Gashi.
Ai vlerësoi se ky program do të kontribuojë në promovimin e aktiviteteve në sektorin kulturor përmes projekteve të bashkëpunimit. Si rezultat, pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve
Gjithashtu, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, theksoi se pjesëmarrja në kuadër të programit në fjalë do të kontribuojë njëkohësisht në forcimin e kapaciteteve në sektorin kulturor dhe krijues duke promovuar lëvizjen e veprave dhe platformave kulturore dhe duke përmirësuar aksesin në veprat kulturore dhe në forcimin e inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës. Gjithashtu do të ketë gjithashtu një ndikim të veçantë në bashkëpunimin që ka për qëllim rritjen e inovacionit, mobilitetin ndër-vendor dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
Ministri foli edhe rreth angazhimit të Ministrisë në themelimin e deskut Evropa Kreative Kosovë-Zyra Kulturë që ka si mandat ofrimin e informatave dhe promovimin e programit, asistimin e sektorëve kulturorë dhe kreativ.
Ndërkaq për sa i përket kostos vjetore financiare që Kosova duhet t’i paguajë Buxhetit të Përgjithshëm të Bashkimit Evropian për të marrë pjesë në Nën-programin e Kulturës dhe në Fushat Ndër-sektoriale, ministri njoftoi se do të jetë 35,000 euro. Sipas tij këtë shumë financiare Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka paraparë në buxhetin e saj dhe e njëjta do ti procedohet BE-së sipas Marrëveshjes./ KultPlus.com