Kulla e Ngujimit në Theth, tashmë atraksion turistik i fshatit alpin

22 Shtator, 2023 - 8:58 am

Kulla e Ngujimit, Monument Kulture i kategorisë së parë është një nga monumentet e rralla të historisë arkitekturore të veriut. Ndërtimi unik njihet në Dukagjin si vendi ku qëndronin ata që kishin kryer një akt në kundërshtim me ligjet e kanunit dhe prisnin derisa të arrihej pajtimi.

Kulla e Ngujimit gjendet në Theth dhe njihet si një nga atraksionet turistike kryesore të këtij fshati të njohur alpin.

Kulla ka strukturë katërfaqëshe me çati tipike alpine. Ekzistenca e saj përmendet nga Franc Nopça, një nga studiuesit më të njohur hungarezë, i cili ka udhëtuar në viset malore të Shqipërisë në fillim të shekullit XX.

Mënyra e ndërtimit mbi shkëmb, dhe izolimi me gurë i kullës është karakteristike për trevat e thella të Veriut. Këto fortesa dominojnë ndërtimet e tjera shqiptare në aspektin e vetëmbrojtjes. Dritaret e vogla si frëngji u jepnin përparësi banorëve të kullës të ndiheshin të sigurtë dhe të mos diktoheshin nga armiqtë jashtë fortesës.

Kulla e Thethit e ka kryer edhe funksionin e ngujimit, pasi aty izoloheshin ata që kryenin një akt të rëndë, por edhe funksionin e pajtimit. Në kohën që i ngujuari qëndronte i izoluar në kullë, pleqtë e fshatit nisnin bisedimet mes familjeve që ishin prekur nga konflikti.

Fortesat e tilla nuk mund të ruheshin nga armiku pa armët e zjarrit. Periudha kur këto tipologji kullash e humbën kuptimin e ndërtimit të tyre ishte ajo e viteve `45-`90, ku shumë prej tyre u kthyen në magazina bujqësore, vatra kulture, apo dhe u shembën nga harresa. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme