Kultura dhe tradita shqiptare prezantohen në Uashington, interes i madh nga vizitorët (FOTO)

7 Maj, 2018 - 3:00 pm

Ambasada e Shqipërisë në SHBA hapi dyert këtë të shtunë , për të tretin vit radhazi për vizitorët dhe qytetarët e Uashingtonit.

Më shumë se 4500 vizitorë patën mundësi të shijonin ushqimin dhe pijet tradicionale të Shqipërisë, të shoqëruar me valle e muzikë nga të gjitha trojet shqiptare.

Ky aktivitet u realizua nën kuadrin Passport DC, Xhiroja e Botës përmes Ambasadave, një program njëmujor që prezanton bashkësinë diplomatike në Uashington së bashku me kulturën e traditat e larmishme që ajo mbart.

E shtuna i mori vizitorët e Ambasadës në një udhëtim të shkurtër në historinë e lashtë dhe në Shqipërinë e sotshme, që nga malet e larta të veriut, ngjyrave të thella të Detit Adriatik e Jon, qytetin e gurtë të Gjirokastrës e atë të një mbi një dritareve, të Beratit.

Në kuadrin e Vitit të Skënderbeut, vizitorët u njohën edhe me historinë e Shqipërisë dhe heroin kombëtar përmes shfaqjes së filmit klasik të Skënderbeut dhe shpërndarjes së materialeve me përmbajtje nga historia e vendit tonë.

Aktiviteti ngjalli një interes të veçantë, ndërsa nuk munguan foto, kartolina dhe albume nga konkursi Colours of Albania, prezantim i kostumeve kombëtare, por dhe disa leksione mbi gjuhën shqipe.

Për herë të parë dhe në veçanti nga përfaqësitë e tjera, aktiviteti kulmoi me organizimin e një shorteu, i cili parashikon një paketë turistike 10-ditore për të vizituar Shqipërinë.

Fituese e këtij shorteu është Yvona, e cila do të ketë mundësi të shijojë një javë në bregdetin e Adriatikut në një nga hotelet më luksoze të ngritura në bregdet.

Më tej, ajo do qëndrojë në Tiranë, për të mësuar historinë, dhe për të shijuar larminë e kryeqytetit, baret, restorantet dhe të gjitha dimensionet e tij./ ATA/ KultPlus.com

Të ngjajshme