31 Korrik, 2017 - 8:04 pm
Faza e emergjencës në atë të rijetëzimit të monumenteve të kulturës është kaluar. Kështu deklaroi ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, gjatë prezantimit të projektit “Krijimi i Qendrave të Informimit Publik për Regjistrimin On-Line të Pasurive Kulturore Kombëtare”.
Kumbaro tha se inventarizimi dhe dokumentimi kanë rol strategjik për mbrojtjen e pasurive kulturore, artistike dhe historike të trashëguara nga e kaluara.
“Kalimi nga faza e emergjencës në të cilën e morëm në vitin 2013, në një fazë të zhvillimit ekonomik, të trashëgimisë kulturore si motor zhvillimi, si burim ekonomie dhe në atë të rrjetëzimit të trashëgimisë kulturore me funksion ekonomik në shërbim të turizmit, por edhe të ekonomisë së komuniteteve lokale”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kumbaro shtoi se në këtë fazë një rol kryesor ka bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar, pushtetin lokal, shoqatat, biznesin etj.
“Sot ne kemi partner strategjikë në kantieret e ndërtimit në trashëgiminë kulturore, ku vlen të përmendet Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, apo marrëveshja e fundit e nënshkruar me Bankën Botërore për programe afatgjata që prekin edhe trashëgiminë në Berat, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë”, u shpreh Kumbaro.
Projekti, i cili ka mbyllur fazën e parë, është një investim i qeverisë shqiptare i aplikuar dhe i fituar nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. / KultPlus.com