19 Tetor, 2022 - 11:21 am
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “Gjirokastra është kthyer në destinacionin gjithëvjetor të turizmit”.
Gjatë një takimi me operatorë turistikë dhe të hotelerisë në qytetin e Gjirokastrës, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Kumbaro tha se “sot ofertat janë të shumta dhe mbi 2 mijë shtretër janë të zënë sidomos në fundjavë”.
Sipas saj, investime e kryera në Gjirokastër kanë ndodhur falë vizionit të qeverisë dhe gjirokastritëve që i rikthyen investimet në vlerë qytetare ekonomike dhe kulturore.
“Sot Gjirokastra është destinacioni numër një i turistëve që nuk vijnë për plazhin dhe rërën dhe këtë e dinë të gjithë”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “sot ka kaq shumë biznese te pazari, dyqane suveniresh, administratorë bujtinash, restorante hotele që sot pazari është mbushur sektori i turizmit dhe agroturizmit. Sot kemi vetëm një vështirësi ajo e zgjedhjes kur vjen në Gjirokastër të rrish ne Qafën e Pazarit, të shkosh në Dropull, Libohovë, apo të ndalosh në Tepelenë ,në Picar apo Valare. Të gjitha këto deri dje ishin vetëm emra fshatrash sot janë destinacione turistike , të gjithë këtë paketë e kemi në një shoqatë shumë të mirë që është “Visit Gjirokastra””.
“Jam krenare dhe e lumtur që në Gjirokastër kemi krijuar atë që quhet destinacione të menaxhuara, modeli më i mirë në Shqipëri. Këtë model po përpiqemi ta replikojmë edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë”, tha Kumbaro. / atsh / KultPlus.com