Kumbaro: Gjirokastra po kthehet në identitet

20 Mars, 2019 - 9:04 am

Projektet e Qeverisë shqiptare kanë sjellë një zhvillim të dukshëm në qytetin e Gjirokastrës, duke rijetëzuar godinat e Qafës së Pazarit, zemrën aktive të Gjirokastrës historike, duke tërhequr një numër shumë të madh turistësh, vendas dhe të huaj.

Mirela Kumbaro, deputete e PS-së dhe ish-ministre e Kulturës, gjatë një interviste televizive foli për trajtimin e qendrave historike të qyteteve tona, më konkretisht atë të Gjirokastrës, duke theksuar se në këtë qytet po punohet me projekte të mëdha.

“Në Gjirokastër po punohet me projekte të mëdha, që marrin parasysh kompleksitetin e qytetit të mbrojtur nga UNESCO”, u shpreh ajo.

Sipas ish-ministres Kumbaro, projektet nuk janë thjeshtë “fasadë”, por kanë sjellë një zhvillim të dukshëm, me fazën e parë të punimeve që ka rijetëzuar godinat e Qafës së Pazarit, zemrës aktive të Gjirokastrës historike, godina që duke qenë “pronë private kanë marrë edhe një vlerë të humbur ndër vite”.

Ministria është e qartë dhe e vendosur thekson Kumbaro, kur thotë se faza e dytë, që përfshin heqjen e kalldrëmeve “është e nevojshme, trazon biznesin në përditshmërinë, por ama do të bëhet njëherë e mirë”, duke nënvizuar edhe faktin që pjesë e mirë e tyre daton jo më larg se vitet ’70.

Për Kumbaron, trauma e vërtetë për zonën muzeale të qytetit është qarkullimi i automjeteve, dhe shprehet se Pazari “nuk është bërë për makina, dhe duhet patjetër pedonalizuar”, si në çdo qytet të tillë në Europë, dhe siç parashikon edhe plani që do të sjellë ndërtimin e një bajpasi.

Por falë këtyre punimeve, ajo vëren se qendra dikur e heshtur gjatë natës, po fillon të popullohet “deri në orën 10-11 të natës”, dhe se rikthimi i identitetit muzeal do të lehtësojë edhe zvogëlimin e një problemi madhor “Shpopullimin e qytetit të gurtë”.

/e.caushi/

Të ngjajshme