13 Nëntor, 2017 - 8:18 pm
“Të lexosh sot Lasgush Poradecin do të thotë të ringjesh brenda vetes potencialin e pashtershëm të artit dhe të dashurisë, të cilat ai i sillte si forca e përjetshme e universit” ka pohuar Kumbaro në Pogradec në një homazh për 30-vjetorin e ikjes së poetit.
Në një ceremoni që u zhvillua në qytetin e tij të lindjes Pogradec, përfaqësues të artit dhe kulturës sollën kujtime për poetin e liqenit nëpërmjet poezive të tij. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj e ka cilësuar Poradecin si lirikun më të madh të shekullit të kaluar, si poeti i parë modern shqiptar dhe liriku më i madh i shek. XX. Lasgush Poradeci nuk e rreshti kurrë kërkimin: kërkim i përhershëm, liri në shprehje, liri në shkrim; liri në mendje e liri në zemër; Ajo kujtoi se:
“Të gjithë marrin jetë prej FLAKËS që ndrin, asnjë s’kujton ZJARRIN që pat djegur. Sepse POETI nuk rron jetën e vdekur të vet, po jetën e pavdekur të Kombit të vet”. Janë fjalët e Lasgushit që dëshmojnë pse mblidhemi për ta përkujtuar atë dhe poezinë e tij. Sepse i këndoi shpirtit të kombit të tij, të atij që siç thoshte vetë, e bën një komb të pavdekshëm, se vetëm shpirti mbetet i dlirë e nuk përshtatet”.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli ekspozitën homazh në 30-vjetorin e vdekjes së poetit, e pasur me dorëshkrime dhe foto nga jeta e poetit. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe deputeti Eduard Shalsi, studiues, të rinj, artistë , etj. Ministrja Kumbaro, e cila prezantoi edhe Klubin e Librit në qytetin e Pogradecit theksoi rëndësinë e leximit të poetit në ditët e fushatës kombëtare “Takohemi për një libër” duke komunikuar me të rinjtë e pranishëm në sallë.
“Edhe këto javë që siç jeni në dijeni, kur e gjithë Shqipëria e veçanërisht rinia shqiptare është përfshirë nga pasioni i bukur i fushatës së leximit “Takohemi për një libër”, janë me dhjetëra rastet e tubimeve dhe leximeve ku shqiptohet me ëndje poezia e papërsëritshme e Lasgush Poradecit.
Ministrja e Kulturës vizitoi edhe Qendrën Historike të Pogradecit, shpallur nga qeveria shqiptare në vvititn 2015, si dhe vizitoi ambientet e shtëpisë së poetit duke diskutuar edhe me pronarin e banesës për të finalizuar një projekt për jetën e veprën e Lasgush Poradecit, e cila “Nuk është thjesht një pikë pelegrinazhi në emër të Lasgushit, por një pikë takimi për njerëzit e artit. Është vetëm fillimi, sepse është pjesë e një projekti më të gjerë, që është qendra historike e Pogradecit, e shpallur në vitin 2015 nga qeveria shqiptare, e cila do ti nënshtrohet rijetëzimit dhe restaurimit siç ka ndodhur me Korçën. Identifikim i thekseve të rëndësishme kulturore brenda qendrës historike të Pogradecit, ku bën pjesë edhe shtëpia e poetit është një ndër gurët kilometrikë që duam të ecim”- u shpreh Kumbaro./KultPlus.com