17 Shkurt, 2023 - 9:30 pm
Qeveria shqiptare ka njoftuar synimin e saj për ta kthyer Vjosën në një rezervat biosfere të mbrojtur nga UNESCO.
Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri të Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës, e cila vizitoi vendin tonë me ftesë të ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Duke i paraprirë një takimi pune me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Azoulay vizitoi qendrën historike të Gjirokastrës, e klasifikuar që nga viti 2005 si trashëgimi botërore e UNESCO-s.
Vitet e fundit, Organizata ka mbështetur Shqipërinë në rehabilitimin e shtëpive të trashëgimisë së qytetit dhe në inventarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale të qytetit, si pjesë e një qasjeje për promovimin e turizmit të qëndrueshëm që mbështet zhvillimin lokal.
Pranë Gjirokastrës ndodhet lumi Vjosa, i quajtur shpesh “lumi i fundit i egër i Evropës”, sepse ujërat e tij rrjedhin thuajse të pakufizuara nga burimi i tij në Greqi e deri në detin Adriatik. Vjosa është habitati i rreth 1100 specieve shtazore dhe bimore, duke përfshirë këtu 13 lloje shtazore dhe 2 lloje bimore që janë të kërcënuara globalisht.
Qeveria shqiptare ka vendosur të përforcojë mbrojtjen e këtij ekosistemi të jashtëzakonshëm me synimin e mbrojtjes së Vjosës duke krijuar një zonë të mbrojtur që i nënshtrohet standardeve më të larta ndërkombëtare përmes shpalljes “Park Kombëtar”.
Aplikimi për të krijuar një rezervë biosfere të UNESCO-s
Me rastin e vizitës së Audrey Azoulay, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se dëshiron të paraqesë në muajt në vijim kandidaturën për rezervë biosfere të UNESCO-s për luginën e Vjosës.
“Rezervat e biosferës janë një model i mrekullueshëm, pasi ato lejojnë mbrojtjen e natyrës duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve. Aplikimi për luginën e Vjosës në këtë program të UNESCO-s do të bazohet në tre prioritete: përmirësimi i cilësisë së ujit, lufta kundër shpyllëzimit dhe rigjallërimi i fshatrave nëpërmjet turizmit rural”, është shprehur Mirela Kumbaro.
“Përshëndes këtë nismë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila hap një faqe të re në historinë e fortë që lidh këtë vend dhe organizatën tonë. UNESCO është në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t’i mbështetur në përkufizimin e kësaj zone të mbrojtur dhe përgatitjen e kandidaturës së saj për programin tonë të rezervave të biosferës”, nënvizoi Audrey Azoulay.
Kjo nismë përforcon bashkëpunimin mes UNESCO-s dhe Shqipërisë, e cila tashmë është shumë e pasur sa i përket bashkëpunimit rajonal në fushën e ujërave, me disa projekte që variojnë nga menaxhimi i ujërave nëntokësorë në basenin e zgjeruar të lumit Drin e deri te administrimi i akuiferëve bregdetarë dhe ekosistemeve përkatëse të akuiferit ndërkufitar Buna/Bojana. Një nismë e re rajonale shumë e madhe për qeverisjen për ujërat nëntokësore është nënshkruar në janar 2023: bëhet fjalë për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë dhe Malin e Zi të cilët do të sigurojnë, me ndihmën e UNESCO-s, përdorimin dhe mbrojtjen e përbashkët të qëndrueshme dhe të barabartë të sistemit të akuiferit Dinarik karstik dhe burimeve të tij ekologjike./atsh/KultPlus.com