2 Tetor, 2017 - 9:59 am
Lufta e Lepantos solli një prej fitoreve më të mëdha në historinë e Evropës. Flota detare e Venedikut dhe Spanjës e kishin dërmuar keq flotën detare otomane të luftës. Ky triumf i madh evropian u njoftua më 7 tetor të vitit 1571. Evropa kishte lutur natë e ditë Zojën e Bekuar për këtë fitore.
Ishte lutur Zojës në qiell për shpëtimin e këtij kontinenti nga pushtimi barbar i hordhive turko-otomane. Lutjet e tyre kishin kontribuar shumë për shpëtimin e qytetërimit të këtij kontinenti. Kisha Katolike e kishte shpallur ditë fetare të veçantë 7 tetorin dhe qysh atëherë e sot kjo ditë festohet me ceremoni e meshë kudo në botën katolike.
Kjo ditë në kalendarin e Kishës është pagëzuar me emërin “Zoja Rruzare”. Mijëra famulli nëpër botë u pagëzuan me këtë emër të dashur. Kështu ishte emëruar edhe kisha e vendlindjes sime, shkruan Gjekë Gjonlekaj, ish gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në New York.
“Zoja Rruzare” e Trieshit festohej gjithmonë te dielën e parë të Tetorit në mënyrë madhështore me miq e bija, me nipa dhe mesa. Banorët autokton të Trieshit e kishin festuar këtë ditë për shekuj të tërë. Ajo pjesë e Trieshit që kishte prejardhjen prej Ba Keqit festonte Ditën e Sh’Njonit më 29 gusht, ashtu siç festonte dhe Hoti, pasi që këta kishin qenë një vëllazëri. Lutja e ndarë e kësaj feste kishte krijuar situata të papërshtatshme për Trieshin.
Por paria e vëndit kishte kërkuar nga autoritetet e larta fetare që krejt Trieshi ta festonte Zojën Rruzare të dielën e parë të tetorit. Ata që kishin festuar Sh’Njonin kishin hequr dorë nga festa e tyre më 29 gusht. Edhe pasardhësit e Ba Keqit kishin pranuar si festë të tyre Zojën Rruzare. Kjo marrëveshje kishte qenë akti më simbolik i bashkimit të Trieshit. Kjo vepër e madhe u realizua në gjysmën e dytë të shekulit XIX, siç duket me rastin e 300-vjetorit të fitores së Lepantos. Kuvendi dhe Paria e Trieshit kishin arritur dy marrëveshje historike. Marrëveshja e parë që krejt Trieshi të festonte Zojën Rruzare dhe Marrëveshja e Dytë që kjo ditë të festohej gjithmonë të dielën e parë të tetorit.
Ky vendim nuk u shkel asnjëherë për pothuajse një shekull e gjysmë. Këtë vendim të lartë njerëzor e kishin arritur burrat më të përmendur të Trieshit të cilët kanë lëne gjurmë në historinë e atyre trojeve. Këtë vendim e kishin pëlqyer edhe autoritet e larta fetare të asaj kohe. Ky vendim nuk është lëkundur asnjëherë deri sot. Diaspora e Trieshit në Amerikë e feston Zojën Rruzare më mirë se asnjë krahinë tjetër për faktin se është në fund të javës (during the weekend).
Edhe amerikanët shumicën e festave kombëtare I kremtojnë në fund të javës ku përfshihet edhe dita e hënë. Ato festa që kremtohen gjatë ditëve të punës këtu në Amerikë janë në shuarje e sipër sepse ndërhynë për ata që përgatiten për festë dhe për ata që shkojnë për të festuar. Vendimi i Trieshit në atë kohë kishte qenë shumë pragmatik ashtu siç kishin qenë edhe vendimet amerikane. Djali i vëllait tim Tomë Gjonlekaj,që është larguar nga Trieshi 47 vjet më parë në moshën 4-vjeçare e feston Zojën e Trieshit dy ditë e net me miq e bija nga vende të ndryshme të Amerikës. Ai e fillon festimin të shtunën dhe vazhdon deri të hënën në mëngjes. Ai e nderon shumë këtë traditë fisnike të Trieshit. Kështu i ka edukuar edhe pasardhësit e tij.
Zoja e Trieshit festohet gjithmonë në fillim të tetorit, që natyrisht është muaji më I frytshëm i gjithë vitit. Tetori është muaji i motit të mirë. është muaji i bereqetit i bagëtisë së majme, sidomos i deshve për fërlikë. Gjatë këtij muaji bjeshkatarët ulen në vërri. Ështe muaji i rrushit dhe verës e rakisë, sado që në Triesh nuk bëhet rrushi. Në kohën time kjo ishte festa më e dashur dhe më e bukur e vendit.
Entuziazmi për këtë festë ishte më i madh se për çdo festë tjetër të motmotit. Në atë kohë, Zoja e Trieshit festohej tri ditë e net. Fillonte të shtunën në mbrëmje dhe merrte fund të martën. Miqtë largoheshin të martën,ndërsa bijat e mesat mund të qëndronin dy javë dhe më shumë. Trieshi ishte shumë i kujdesshëm që pritjet e miqve të ishin në nivelin më të lartë.
Në Triesh muaj të tërë flitej në lidhje me përgatitjet e kësaj feste. Burrat bënin meremetime të mëdha në shtëpitë e tyre. Ata i lyenin shtëpitë me gëlqere. Gratë shkonin tek krojet për të larë rrobat dhe teshat e shtëpisë, sidomos ato të shtretërve. Ato pastronin për bukuri oborret e shtëpive dhe rrugët aty afër. Pjesën më të madhe të artikujve ushqimorë i kishin të vetat, por ato që mungonin i blinin në Podgoricë. Trieshi e blinte rakinë e verën në Fundna të Kuçit. Ata ishin të njohur për kualitetin e mirë të këtyre dy pijeve tepër të rëndësishëm për festimin e Zojës së Trieshit. Buka,mishi,djathi e rakia e vera ishin të domosdoshme. Gratë e fëmija i pëlqenin shumë petullat e mjaltin. Djathërat e ndryshme të bjeshkës kishin shijet të veçanta. Miqtë e Zojës së Trieshit e pëlqenin shumë mazën e bjeshkës dhe djathin e ziem.
Trieshi ishte i njohur edhe për patate të mira. Mishi i dashit i pjekur në fërlik kishte rëndësi të veçantë, ky ishte kryesori (main course).
Pjekja e fërlikut ishte një punë e vështirë dhe delikate. Ata që e merrnin përsipër këtë punë ishin serioz sepse kjo punë kërkonte durim dhe kujdes të veçantë. I Zoti i shtëpisë bënte muhabet me miq, ndërsa ata që ishin më të ri pinin e këndonin edhe më shumë se duhej, këtë nivel entuziazmi ua shtonte rakia. Në Zojë të Trieshit vinin për festë rapsodët më të njohur të Malësisë. Me ta vinte edhe Pjetër Mark Mirdita. Ata ishin lahutarë të njohur.
Disa të tjerë këndonin këngë për maje krahu. Edhe bijat këndonin së bashku siç kishin kënduar në kohërat e vajzërisë në malet tona. Ato evokonin kohën e vajzërisë. Disa burra nga Hoti e Gruda ishin karakteristikë për veshjet e tyre kombëtare. Në këtë mes dallohej Pjetër Uci, Kolë Gjo’Nikë Shabi, Lekë Gjoni dhe Selman Juku, pastaj Nikollë Zeli e Mark Zeli të bijtë e Zef Miliqit. Kënga dhe hareja, natën e Zojës vazhdonte deri në orët e vona të mëngjesit. Shumica e miqve flinin deri vonë,ndërsa njerëzit e shtëpisë ngriheshin herët në mëngjes për shërbimet e drekës.
Pas drekës Ditën e Zojës së Trieshit, i zoti i shtëpisë u printe mysafirëve drejte kishës së vendit për meshë dhe për logun e pas meshës. Bregu i Kishës së Trieshit ishte i madh, pastaj lisat e blinit e bënin edhe më të mrekullueshëm. Në logje këndonin por mund të kishte edhe gara të ndryshme. Por në qoftë se Trieshi kishte përjetuar ndonjë tragjedi të madhe gjatë atij viti nuk pëlqehej kënga,pavarësisht se familjarët bënin çmos që të gjithë të këndonin dhe të gëzonin ditën e festës. Në këtë log shumë herë janë mbajtur edhe fjalime të rëndësishme politike, sidomos gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Në Triesh kanë shërbyer meshtarë të njohur shqiptarë, por edhe shumë të huaj. Për disa familje nata e dytë e festës ishte edhe më e madhe se nata e parë. Edhe kjo natë vazhdonte me këngë e hare deri në mëngjes. Pas dy ditë e netësh shihej lodhja dhe mund të vihej re qetësia e lodhjes. Nuk kishte shtretër për të gjithë she shumica e familjes flinte në tokë.
Gëzimi më i madh i kësaj feste ishte prania e bijave e mesave dhe nipave që vinin për festë nga viset e largëta të Malësisë. Disa nga ato bija ishin martuar larg vendlindjes. Ishin si ato ‘doruntinat’ e Ismail Kadaresë. Pas mbylljes së kufirit me Shqipërinë kjo largësi u shkurtua dhe ato nuk shkonin përtej Hotit e Grudës ose Kojës e Luharit. Pjesëmarrja e burrave të dalluar të Malësisë e bënte festën edhe më të rëndësishme.
Përveç malësorëve katolikë në Zojë të Trieshit vinin edhe malësorët e besimit islam. Trieshi ndjehej mirë për praninë në këtë festë të Sul Brahimit, të Selman Jukut, Ibrahim Demës të Iso Mujit dhe shumë të tjerëve. Në atë kohë marrëdhëniet ndërfetare ishin jashtëzakonisht të mira. Malësoret e krishterë ishin kryelartë për pjesëmarrjen e miqve malësorë muhamedan dhe anasjelltas.
Të gjitha festat e krahinave të Malësisë së Madhe ishin një mrekulli, ishin kulmi i gëzimit,bujarisë,nderit e respektit familjar e shoqëror. Ato ishin një spektakël i vërtetë. Këto institucione jetuan nëpër shekuj dhe riorganizimi i tyre sidomos në trevat tona do të ishte një rilindje e dyte e traditës më fisnike të maleve të Malësisë.
Ata që punojnë sinqerisht për rilindjen e këtyre festave bëjnë punë të mirë fetare e kombëtare. Bota sot po investon shumë për ringritjen e këtyre institucioneve klasike të fesë, të traditës dhe kulturës kombëtare. Malësorët në diasporë bëjnë shumë për ta ruajtur këtë traditë fisnike. Bile në këto festa të Malësisë shumë herë marrin pjesë edhe personalitete të shquara të shoqërisë amerikane. Ata i pëlqejnë shume festat e malësorëve sidomos pritjen e përzemërt dhe të sinqertë të malësorëve shqiptarë. Këto janë pjesë e kulturës dhe qytetërimit të vërtetë evropian. Festat krahinore ringjallin dashurinë për traditën tonë fetare dhe kombëtare. Unë personalisht i kujtoj ato kohëra dhe ato festa me shumë dashuri. Urime e gëzuar për shumë vjet Zojën e Trieshit./ KultPlus.com