22 Janar, 2020 - 7:55 pm
Në periudhën e punimit të doktoraturës, Lasgush Poradeci u përball me një problem ekonomik pasi iu hoq edhe bursa që merrte nga ministri i atëhershëm i Arsimit.
Një prej intelektualëve të njohur elbasanas në këtë situatë mendoi t’i kërkonte ndihmë Lef Nosit që ky i fundit të ndërhyjë që t’i rikthehet bursa vjershëtorit tonë që po punon për një komb, shkruan Konica.al
“Fort i dashuni Zoti Lef!
Më vjen mirë se sot po gjej rastin t’ju vë një barrë sa do e randë por aq dhe e ambël për t’i shërbye një djal letrar fort të çmueshëm. Asht fjala për Llasgush Poradecin. Juve që dini sa vleftë ka për Shqipninë t’onë të mjerë një mjeshtër si Llazgushi sigurisht që do më epni të drejtë pse ju drejtohem juve.
Natyrisht Juve që për veten t’uaj mbani një modestië me gjith që të gjithë ju çmojnë juve përkit detyrë(!!) të ndërmjetësoni atje ku lypset për përmirësimin të jetesës të një Llazgushi. Mjerisht, fort i dashuni Zoti Lef, këtu tek neve ku shpenzohet mijëra napolona kot vetëm për të përmbushë një egoizëm të poshtër dhe një ambicie të turpshme nuk gjenden disa pak të holla për përmbajtjen me shpirt ndër dhëmbë një vjershëtor? Këtu tek neve ku gjenden me duzina Prefektë, Ndërprefektë, oficera gjith lloj armësh në disposition nuk u gjendka një burim jetese për Llazgushin tonë?
Me anë tjetër njerëzit nuk maten me një kutë. Ka njerëz që janë për dobië të përgjithshme dhe atyre nuk aplikohet ligja integral por bëhet si kur nuk shifet në qoftë se u bë nonjë faj. Ministri i ynë i Arsimit ka gabue mbesoj, tyke i tërhekë bursën Llazgushit. Mbasi Llazgushi i jonë nuk po punon për veten e tij, por për një komb, kombi i tonë ka detyrë t’a përmaj gjall në mos me mish e pilaf ntombaren me bukë e me djath. Zoti Lef jam i sigurtë se fjala juaj ka të shkue shumë dhe më fort në Hili (Hil Mosi- shënim i imi) prandaj guxoj t’ju lutem t’i shkruani Hilit ose më mirë të vini vetënë Tiranë për të siguruë bursën e Llazgushit. Llazgushi, ashtë tepërt t’ju a thom, meriton çdo sakrificë.
Ministria e Arsimit pretendon se bursa t’i jepet Llazgushit po qe se niset për Austrië. Zoti Lef lutem që të dihet Llazgushi në qoftë se rri këtu nuk rri për çështje tjetër veçse ka nevojë për erë të pastër dhe veçanërisht këtu nuk rrij pa punë: Llazgushi këtu po pregatit tezën për doktorat e cila asht ja 600 faqesh dhe po sa të maroj së shkruari domosdo do të shkoj që ta paraqisi tezën në Universitet për aprovim dhe për shtypie. Kjo asht e vërteta. Llazgushi s’ka seç kërkon sot në Austrie.
M’a falni Zoti Lef që ju drejtohem juve por juve jeni në shkallë që t’më kuptoni ma mir se çdo njeri tjetër.
Për çështjen e Llazgushit mbesoj sigurisht se do të gjini përkrahjen dhe të Z.Mit-hat Frashëri.
Juaj me nderime
Filip Papjani
10.X.1930 Pogradec
Foto : Letra origjinale, Dr. Filip Papajani, Lef Nosi…” /KultPlus.com