5 Janar, 2020 - 11:40 pm
Në kryeqendrën e qytetit të Manastirit kanë jetuar një numër i madh i shqiptarëve gjatë gjithë periudhave historike.
Me rënien e Perandorisë Osmane ka patur lëvizje dhe dyndje të popullatës shqiptare nga Manastiri, por dhe nga gjithë rrethina e sajë, duke e marrë parasysh si Vilajet në tërësi.
Sidomos gjatë luftërave Ballkanike, asaj të Parës dhe të Dytës, por edhe gjatë luftës së Parë botërore, askush nuk e din numrin e saktë të të dëbuarve dhe të dyndurve shqiptarë që kanë lëvizur për nga Turqia dhe Rumania, por dhe për në Itali, Bullgari, e deri në Ukrainë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pas kësaj periudhe vazhdon spastrimi etnik dhe dyndjet e mëdha të shqiptarëve nga Manastiri dhe rrethina e tij.
Ata, gjatë viteve të pasluftës hasin në shtypje të mëdha duke ua uzurpuar pronat dhe pasuritë e patundshme, por edhe arin, duke ua ndaluar veshjen tradicionale, dhe më pas me planin dhe marrëveshjen e Titos dhe Menderezit nga pala turke, shqiptarët u shpërngulën për në Anadoll, duke i detyruar ata që të deklaroheshin turq.
Që nga viti 1951 e deri vitin 1968, nga Manastiri dhe rrethi i tij janë shpërngulur për në Turqi, SHBA, Itali, Kanada, Australi dhe Evropë, mbi 38 000 shqiptarë. Por nuk mbeti me kaq. Shqiptarët nga këto anë vazhduan të emigronin në vendet e lartpërmendura akoma, përmes martesave, dhe mënyrave të ndryshme.
Nga këto dyndje, pasojat janë të parapara dhe tronditëse. Disa fshatra nuk ekzistojnë më dhe si struktura urbanistike. I ka ngrënë dhëmbi i kohës. Fshatrat Snegovë, Armatush, Drevenik, Zllakuqan nuk kanë më asnjë banorë.
Tani, Manastiri ka një numër të konsiderueshëm të popullatës shqiptare, dhe atë numri më i madh jeton nëpër fshatrat përreth.
Kurse në brendinë e qytetit, ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve, dhe ata janë ardhacak nga shumë treva të tjera, si nga Struga dhe rrethi i sajë, nga rrethi i Krushevës, Prilepit dhe Prespës. Qytetar të vjetër Shqiptar të Manastirit më s’ka. Ata jetojnë tanimë në Stamboll të Turqisë, një numër shumë i madh i tyre.
Në fillim Manastiri ka qenë një qytezë e vogël dhe kështu ka vazhduar deri në vitet 1800 – 1850. Zhvillimi i qytezës në një qytet të zhvilluar me një ekonomi të rëndësishme për Vilajetin e atëhershëm fillon pas kësaj periudhe, dhe shqiptarët këtu japin kontributin e rëndësishëm ekonomik.
Manastiri ishte një udhëkryq ku gërshetoheshin rrugët e tërë Ballkanit, apo Rumelisë si quhej atëherë. Akoma dhe asaj kohe po funksiononte rruga Antike “Via Egnatia”, e cila lidhte të gjitha Vilajetet e Rumelisë me Stambollin, kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Sidomos lidhja me Selanikun dhe bregdetin shqiptar ka qenë një rrugë arterie kryesore që ka shërbyer për tregtinë dhe këmbimin e mallrave të ndryshme.
Atëherë fillon dhe ringjallja e shqiptarëve si në aspektin frymorë, ashtu dhe at ekonomik. Shqiptarët fillojnë të participojnë në ekonominë e qytetit.
Bëhen pronarë të objekteve të ndryshme, si të tregjeve, haneve (hoteleve të asaj kohe), hamameve (banjave publike), zejtarinë e marrin në dorë, merren me tregti, dhe me shumë veprimtari të tjera të kohës. Ndërtohet hani i Dibrës, ai i Kërçovës, hoteli “Liria”, shtypshkronja e Qiriazëve, ngritja e Bezistanit gjithashtu ndihmohet nga shqiptarët, etj.
Janë disa familje të njohura e të ngritura në nivelin aristokrat të kohës si ajo e Gërmenjëve, Qirjazve, familja Topulli, Zavalanët, etj. Shqiptarët në Manastir ishin gati të dytit sipas dominimit ekonomik pas hebrenjëve dhe grekëve.
Shqiptarët ishin të përfshirë edhe në administratën e pushtetit osman këtu në selinë e Vilajetit të Manastirit, e njëri nga valitë e Vilajetit, ishte me prejardhje shqiptare. Por kjo e gjithë shkatërrohet gjatë luftërave Ballkanike, asaj të Parë Botërore, të Dytës dhe pas saj.
Pronat e shqiptarëve bien në duart e okupatorëve dhe dhunuesve sllav dhe u merren gati pa pagesë, pasi shqiptarët iknin për në Anadoll.
Pas luftës së Dytë Botërore, ata që mbetën të jetojnë në Manastirin e Jugosllavisë, ishin vetëm krah pune nëpër fabrikat që hapeshin për ardhacakët nga fshatrat sllave. Asnjë prej tyre nuk ishte në pozitë drejtuese, as nëpër fabrikat e kombinatet, e as nuk ishin të përfaqësuar në administratën shtetërore të atëhershme./KultPlus.com