9 Nëntor, 2022 - 9:00 pm
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, Korçën e gjeti të pushtuar nga ushtritë turke të komanduara nga Xhevat Pasha. Në këto kushte, atdhetarët korçarë nuk e ngritën dot flamurin kombëtar në qytetin e tyre siç vepruan qytetet e tjera shqiptare si: Elbasani, që e ngriti flamurin kombëtar më 25 nëntor, Durrësi më 26 dhe Kavaja, Peqini, Lushnja, më 27 nëntor. Në gjendjen e krijuar në Korçë ishte e pamundur të dërgoheshin delegatë korçarë në ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë.
Kur filloi në Vlorë Kuvendi për shpalljen e Pavarësisë, Korça, po ashtu edhe Shkodra, në pamundësi për të dërguar delegatë, u mandatuan të flisnin e të vendosnin në emër të tyre si delegatë atdhetarët korçarë që ndodheshin aty (B. Fevziu “100 vjet”). Korça u përfaqësua në këtë kuvend nga atdhetarët korçarë të deleguar nga kolonia shqiptare e Bukureshtit, që e shoqëruan Ismail Qemalin nga Triestia në Durrës pastaj në Vlorë, si dhe nga atdhetarë të tjerë korçarë që u ndodhën në Vlorë atë ditë dhe u pranuan nga kuvendi të përfaqësonin krahinën e Korçës.
Pushtimi i Korçës nga trupat greke, mbas largimit të trupave turke, në dhjetor të vitit 1912 dhe që vazhdoi pothuaj pa ndërprerje deri në nëntor 1916, nuk lejoi ngritjen e flamurit kombëtar në Korçë në përvjetorët e 28 nëntorit të viteve 1913, 1914, 1915 dhe 1916. Por edhe gjatë këtyre viteve, pati disa episode të veçanta të ngritjes së flamurit kombëtar në disa qendra të banuara të qarkut të saj. Gjatë vitit 1914, flamuri kombëtar shqiptar nuk u ngrit dot në qytetin e Korçës së pushtuar nga forcat greke, por u ngrit në disa qendra të banuara të qarkut të Korçës. Çetat patriotike të komanduara nga Sali Butka në ofensivën për çlirimin e qarkut të Korçës nga trupat greke në janar të vitit 1914, kudo që shkonin, ngrinin flamurin.
Sipas librit M. Meço, “Panariti, gjurmë në histori”, Tiranë 2007: “Në shtëpinë e Dajlan Panaritit (lagjja ‘Janqisht’), sipas porosive të Ismail Qemalit, Gani Sali Butka, bashkë me Jaken dhe Sabriun, djemtë e Dajlanit, ngritën flamurin kombëtar në janar 1914″. Në të njëjtën kohë, flamuri u ngrit në Trebickë dhe Treskë fshatra afër Panaritit.
Në datën 2 mars 1914, sipas vendimit ultimativ të Fuqive të Mëdha dhënë Greqisë, ndodhi largimi i ushtrisë greke nga Korça dhe në qytet hyri ushtria shqiptare e qeverisë së Princ Vidit prej 250 vetash, e komanduar nga Mustafa Beu, i cili shoqërohej edhe nga oficeri holandez, kapiten Gjiraldi. Menjëherë u hoq flamuri grek dhe për herë të parë në qytetin e Korçës u ngrit flamuri i një qeverie shqiptare, i cili ishte flamuri i Princ Vidit, flamur i kuq me një shqiponjë dykrenare, por shqiponja nuk ishte e ngjashme me shqiponjën e flamurit të Skënderbeut që u ngrit në Vlorë.
Prania e trupave shqiptare të qeverisë së Princ Vidit në Qarkun e Korçës zgjati deri në datën 7 korrik 1914, kur në qytet hyri përsëri ushtria greke e mbretit Kostandin, aleate e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, që ngriti menjëherë flamurin grek. Periudha e shkurtër disamujore e pranisë së trupave shqiptare të qeverisë së Princ Vidit dhe ngritjes së flamurit shqiptar në Korçë, u shoqërua me përpjekjet e peshkopit grek të Korçës, Germanosit, për të ngritur flamurin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Luftime të ashpra ndodhën në qytetin e Korçës midis trupave shqiptare të qeverisë të komanduara nga holandezi, majori Shneller, si dhe “vetëdashësve” korçarë të komanduar nga Themistokli Gërmenji nga njëra anë, kundër trupave të andartëve grekë dhe grekomanëve korçarë të mashtruar nga peshkopi grek i Korçës, Germanosi, nga ana tjetër, që njihet në histori si “puçi grek” i 2 prillit.
Me ardhjen e çetave shqiptare të Kajo Babjenit dhe të atdhetarëve kolonjarë të komanduar nga Gani Sali Butka, kryengritësit u shkatërruan dhe në Korçë u ngrit përsëri flamuri i qeverisë shqiptare të Princ Vidit.
Veprimi i parë i forcave greke, kur hynë në qytetin e Korçës, në 7 korrik 1914, ishte heqja e flamurit shqiptar të Princ Vidit dhe ngritja e flamurit grek. Në mësymjen e vitit 1916, për çlirimin nga grekët të krahinës së Korçës, çetat shqiptare të komanduara nga Sali Butka, në përbërje të ushtrisë austriake, kudo që shkonin, ngrinin flamurin kombëtar shqiptar. “Qëllimi ynë është të ngremë flamurin kombëtar”, u shkruante Sali Butka banorëve të fshatrave para se t’i çlironte (S. Godo “Plaku i Butkës”). Flamuri u ngrit së pari në Panarit në 6 tetor dhe në Vithkuq, në 10 tetor 1916. Në godinën e krahinarisë së Vithkuqit u ngrit flamuri kombëtar i kuq dy pashë, me shkabën e zezë të qëndisur anash me fije ari. Gjatë pushtimit grek, flamuri ishte ruajtur si pronë e përbashkët e fshatit. Pas Vithkuqit, çetat shqiptare ngritën flamurin dhe organizuan administratën shqiptare në Lavdar dhe në Gjergjevicë, pa hasur asnjë pengesë. Duke vazhduar këtë ofensivë çlirimtare, çetat shqiptare iu drejtuan Voskopojës. Por në këtë fshat nuk ndodhi si me fshatrat Panarit, Vithkuq, Lavdar dhe Gjergjevicë. Nga informacionet që mblodhi Sali Butka, u pa që gjendja në Voskopojë ishte krejt e kundërta e Vithkuqit.
Forcat e komanduara nga Sali Butka qëndruan në rrëzë të fushës së Korçës, në vijën Vashtëmi, Melçan, Voskop, Kamenicë, Dvoran, Boboshticë. Në këtë kohë, në muajin tetor 1916 në Korçë u vendosën forcat ushtarake franceze të komanduara nga koloneli De Burnazel, i cili urdhëroi largimin e forcave greke kostandiniste dhe të funksionarëve grekë pro mbretit. Në funksion të ngjarjeve në Greqi, pas largimit të forcave pro mbretit, në Korçë erdhën autoritetet venizelliste, aleatë të francezëve dhe në Korçë u vendos prefekt zoti Argjiropull, i cili formoi menjëherë administratën civile me funksionarë grekë. Mbas pak kohe u largua koloneli De Burnazel dhe në vend të tij erdhi koloneli Dekoen.
Për interesat ushtarake franceze, me urdhër të gjeneralit Saal, komandantit të forcave aleate në Selanik, koloneli Dekoen hyri menjëherë në bisedime me komandantët e çetave shqiptare në krahinën e Korçës, për të bashkëpunuar me to me qëllim ruajtjen e qetësisë në këtë zonë. Të dy komandantët kryesorë të çetave shqiptare, Themistokli Gërmenji dhe Sali Butka, kërkuan, për këtë bashkëpunim, nga komanda franceze disa kushte, më kryesoret e të cilave ishin: Dëbimi i grekëve nga Qarku i Korçës, Vetëqeverimi shqiptar i Korçës, mbyllja e shkollave greke dhe hapja e shkollave shqipe dhe më kryesorja, ngritjen e flamurit kombëtar të Skënderbeut.
Koloneli Dekoen i pranoi të gjitha këto kushte të atdhetarëve shqiptarë dhe më datën 10 dhjetor 1916, në bazë të marrëveshjes së arritur me forcat franceze, Themistokli Gërmenji ngriti në qytetin e Korçës, për herë të parë, flamurin kombëtar shqiptar, atë flamur që ishte ngritur në Vlorë, flamurin që kishte mbajtur Skënderbeu, shkabë e zezë dykrenare në fushë të kuqe me një kordele me ngjyrat e flamurit francez. Në kuadrin e “Vetëqeverimit shqiptar”, në datën 22 dhjetor 1916, Qamil Panariti, atdhetari i shquar, shok i Themistokli Gërmenjit dhe Sali Butkës, i emëruar shef i Policisë në Bilisht, ngriti për herë të parë në këtë qytet flamurin kombëtar të Skënderbeut. Prandaj, është e pakuptueshme që në këtë qytet akoma dhe sot nuk ka asnjë shenjë që të kujtojë këtë ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme historike, ngritjes për herë të parë të flamurit kombëtar dhe autorin e kësaj ngjarjeje, atdhetarin Qamil Panariti. Atdhetari Qamil Panariti, njëlloj si dhe bashkëluftëtari i tij Themistokli Gërmenji, u arrestua nga francezët dhe u dënua me vdekje. Ndërhyrja e patriotëve shqiptarë, që sollën avokat nga Stambolli, sidomos përpjekjet e vëllait të tij, Tefik Panariti, që ishte anëtar i Këshillit Administrativ të “Republikës Shqiptare” të Korçës, i detyroi francezët ta kthenin dënimin e tij me vdekje, në internimin e tij dhe të të tjerëve shqiptare të arrestuar në Guajanën franceze, territor francez përtej oqeanit Atlantik në kufi me Brazilin, ku Qamil Panariti u vra në vitin 1923 nga ata njerëz që i kishte luftuar tërë jetën.
Ngritja e flamurit kombëtar shqiptar në Krahinën Vetëqeveritare të Korçës, më vonë Republika Shqiptare e Korçës, vazhdoi edhe mbas abrogimit nga francezët të Protokollit të 10 dhjetorit 1916 që ndodhi në shkurt 1918. Me gjithë urdhrat e komandës franceze të Selanikut për heqjen e flamurit shqiptar nga ndërtesat qeveritare, ushtarakët francezë në Korçë, me ndjenja të theksuara pro shqiptare, e lejuan flamurin kombëtar shqiptar të ngrihej në qytet deri në vitin 1919, kur u ndalua me urdhër të prerë. Ai u ngrit në qytet për herë të tretë, për të mos u ulur më, në 26 maj 1920, në manifestimin e madh popullor që u bë në Korçë, për bashkimin e saj me qeverinë e Tiranës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës.
Por historia e flamurit kombëtar shqiptar, që u ngrit në Korçë në 10 dhjetor 1916, nuk përfundon këtu. Kur iku nga Korça koloneli Dekoen në 1917, e mori me vete flamurin kombëtar që u ngrit në Korçë në datën 10 dhjetor 1916 dhe u tha atdhetarëve korçarë, që ai do ta kthente ditën që Shqipëria do të kishte muzeun e vet. Kur në Tiranë u krijua “Muzeu Shqiptar”, drejtori i tij, Viskë Babatasi, i kërkoi me letër Dekoenit, tani gjeneral brigade, të mbante premtimin dhe të kthente flamurin. Dekoeni pranoi dhe ia dorëzoi flamurin zotit Xhemil Dino të legatës shqiptare në Paris në dhjetor 1922. Ky flamur u dorëzua në Tiranë nga miku i Shqipërisë, zoti Justin Gotard. Prania në Muzeun e Tiranës e flamurit shqiptar që u ngrit në Korçë në 10 dhjetor 1916, jep mundësinë që i njëjti flamur të vendoset tani në Korçë në ambientet e restauruara të shtëpisë ku u ngrit për herë të parë, në 10 dhjetor 1916, duke shpallur “Vetëqeverimin shqiptar” të Krahinës së Korçës, më vonë me emërtimin “Republika Shqiptare e Korçës”/ Ing.Vladimir Dino, studiues, “Panorama”. / KultPlus.com