30 Nëntor, 2018 - 8:52 am
Që nga viti 2012, qindra mijëra persona kanë pasur mundësinë ta shohin Kuranin e përgatitur përmes qëndisjes nga siriani Muhammed Maher Hadri, i cili para katër viteve migroi në Turqi për shkak të luftës në qytetin e tij Halep.
Hadri përfundoi punën e tij të qëndisjes së librit të shenjtë në pëlhurë përmes makinës qepëse për një periudhë prej 12 vitesh, nga viti 2000 deri më 2012, ndërsa pas përfundimit, ekspozitën e parë e kishte hapur në Iran.
E përbërë nga 12 vëllime me përmasa 80 centimetra gjatësi dhe 60 centimetra gjerësi dhe të rënda 200 kilogramë, vepra e Hadrit nga viti 2012 është shfaqur në Siri, Liban, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.
Para katër viteve, ai u shpërngul në Turqi për shkak të luftës civile në Siri.
Hadri, i cili aktualisht vazhdon veprimtarinë në Bursa, ua ka mundësuar qindra mijëra personave edhe në Turqi ta shohin veprën e tij përmes ekspozitave në Stamboll, Gaziantep, Trabzon dhe Bursa.
Hadri, baba i tre fëmijëve, i cili ekspozitën e fundit e hapi në qytetin e Bursës, tha për Anadolu Agency (AA) se interesimi i madh për veprën e tij e bën atë shumë të lumtur.
“Kisha bërë shumë prova dhe vazhdova pasi pashë se mund ta bëja. Filloi t’u pëlqejë atyre që e shihnin. Më pas vendosa të shkruaj tërë Kuranin në pëlhurë”, tha Hadri.
Ai tha se pas përfundimit, Kurani është kontrolluar dhe miratuar nga dijetarët sirianë Sheikh Ahmet Enis, Mustafa Xheleddin dhe Muhammed Habesh.
Hadri njoftoi se i janë bërë shumë oferta për ta blerë veprën e tij, por ai thotë se dëshiron që ajo të qëndrojë në Turqi.
“Synoj që Kuranin i përpunuar në mënyrë dekorative të ekspozohet në të gjitha qytetet e Turqisë dhe të shihet nga më shumë njerëz. Qindra mijëra njerëz e kanë parë atë të ekspozuar në shumë shtete dhe qytete”, thotë Hadri.
Krahas fazës së shkrimit, Kurani i punuar nga Hadri ka kaluar edhe në fazën e dekorimit dhe ndarjes në vëllime, shprehet ai.
“Ajo që kam bërë në fakt është art. Gjatë përgatitjes së Kuranit unë përdora makinë të zakonshme qepëse”, njoftoi Hadri.
“Prej katër vitesh jetoj në Turqi dhe dua t’ua mësoj atyre që duan ta mësojnë. Turqia u kushton kujdes të madh gjërave që kanë të bëjnë me Islamin. Meqë e di se Kurani do të ruhet mirë, unë dua që ai të shfaqet në një muze në Turqi”, shprehet Hadri./ KultPlus.com