4 Korrik, 2023 - 11:30 am
Kryeministri Albin Kurti, ka shkruar se ka përfunduar tashmë, restaurimi i tri aseteve të Kishës Ortodokse Serbe, të mbrojtura me ligjet e Republikës së Kosovës.
Partneriteti ynë me Bashkimin Evropian dhe UNDP në Kosovë me rezultate të prekshme në fushën e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Në kuadër të programit të përbashkët mes MKRS, BE dhe UNDP, së fundmi kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në tri kisha dhe manastire ortodokse, asete të Kishës Ortodokse Serbe që mbrohen me ligjet e Republikës së Kosovës. Manastiri i Qelisë (Burgut) dhe Kisha e Dëftimit të Shën Mërisë në Kamenicë dhe Manastiri i Dragancës në Novobërdë, pas ndërhyrjeve që janë financuar nga BE-ja, do të vazhdojnë t’u shërbejnë besimtarëve ortodoksë, komunitetit të gjerë dhe turistëve.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj të angazhohem për të gjithë qytetarët tanë pa dallim e diskriminim. Harmonia ndërmjet komuniteteve etnike e fetare, si vlerë dalluese e shoqërisë sonë, është zotim dhe përkushtim i përhershëm i qeverisë sonë. Trashëgimia kulturore është ndër mjetet më efektive për afrim e bashkëpunim mes popujve. Prandaj, investimet tona në mbrojtjen dhe funksionalizimin e monumenteve do të jenë të vazhdueshme./ KultPlus.com