Laguna e Fllakës, një atraksion për turizmin e vëzhgimit të shpendëve ujorë që nuk njihet

20 Shtator, 2017 - 9:00 am

Ishte një ekspeditë e specialistëve të PPNEA-s, që bëri disa njerëz të njihen me këtë Lagunë të vogël por tepër të pasur në biodiversitet dhe turizëm.

Specialistët e PPNEA-së, udhëtuan me një grup gazetarësh drejt kësaj lagune pikërisht për ta promovuar dhe reklamuar atë si një vlerë të shtuar në mjedisin dhe turizmin Shqiptar, i ndihmuar nga projekti “Krijimi i një rrjeti rojtarësh për mbrojtjen e mjedisit dhe rritja e ndërgjegjësimit në zonat me rëndësi të lartë për biodiversitetin”, mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E ndodhur vetëm pak kilometra nga qyteti i Durrësit, ligatina , karakterizohet nga një peizazh i larmishëm dhe tërheqës si dhe përfaqëson një nga ligatinat më të rëndësishme në Shqipëri për shpendët ujorë.

Ligatina shtrihet në pjesën më jugore të Gjirit të Lalzit duke u kufizuar nga Rezervati i Rrushkullit
në veri, nga Kepi i Bishtit të Pallës në jug, në lindje nga një rrip i gjelbër pishash dhe në perëndim nga Deti Adriatik

Shumë pak njerëz kanë dijeni për potencialin që ofron kjo zonë për turizmin e vëzhgimit të shpendëve. Sipas specialistëve të faunës ujore, kjo ligatinë përbën një ndër zonat më të rëndësishme në Shqipëri përsa i përket larmisë së llojeve të shpendëve të ujit që hasen në të.

Laguna mbushet me ujë të ëmbël nëpërmjet Lumit të Durrësit dhe të kripur nga Deti Adriatik. Sezoni i verës sjell uljen e konsiderueshme të nivelit të ujit, ndërsa në dimër mbulohet nga uji i tepër që prek edhe tokat rreth saj.

Ky është muaji që fillon dhe migrimi i shpendëve migratory ku peizazhi fluturues ndryshon shpesh nga shumëllojshmëria e ngjyrave.

Por…këta shpendë nuk janë të qetë në habitatin e tyre.

Gjatë ekspeditës u vërejtën mjaftë gjurmë të gjuetisë së pa ligjëshme. U panë gëzhoja fishekësh, pupla shpendësh dhe skelete të tyre, vendstrehime të posaçme për gjueti etj.

Moratoriumi 5 vjeçar i gjuetisë, miratuar vitin e kaluar, ofron mbrojtje për të gjithë shpendët. Shkelësit e këtij ligji dënohen sipas ligjeve në fuqi për mbrojtjen e shpendëve dhe kafshëve të egra.
Megjithë distancën e shkurtër nga qyteti i Durrësit, agjencitë dhe institucionet e ngarkuara për zbatimin e moratoriumit të gjuetisë nuk kanë marrë veprimet e duhura për ndalimin e këtij fenomeni.
Laguna ndodhet pranë detit dhe plazhet që krijohen ne verë nga tërheqja e ujërave, shfrytëzohen nga pushuesit por edhe nga ndërtimet pa leje që përdorin inerte të forta si beton e hekur.
Shkarkimet e ujërave të zeza janë një tjetër problem në dëmtimin e ekosistemit të lagunës. Kanalet që mundësojnë qarkullimin e ujit në lagunë janë të mbushur me inerte.
Por ka dhe shpresë për menaxhimin e kësaj pasurie natyrore me shumë vlera.

Koordinatori i këtij projekti nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, Xhemal Xherri, tha se do të organizohen disa takime ndërgjegjësuese rreth mjedisit me nxënësi, gjimnazistët dhe komunitetin që banon përreth lagunës.

“Përveç takimeve që do të bëjmë në zonë, menduam që edhe ta promovonim në nivel mediatik për rëndësinë e lartë të biodiversitetit që ka zona, duke e kthyer në një atraksion turistik për turizmin e vëzhgimit të shpendëve dhe të sensibilizojmë institucionet përkatëse, që të ndalojnë gjuetinë e pa ligjshme në lagunë”, u shpreh ai në fund të aktivitetit mjedisor. /KultPlus.com

Të ngjajshme