Laguna e Orikumit, një mrekulli për turistët dhe një mister për arkeologët

19 Shtator, 2017 - 9:35 am

Laguna ndodhet në brigjet e Gjirit të Vlorës dhe Detit Adriatik. Sipërfaqja ujore e kësaj lagune është 1.5 km2. Në periferi dhe nën ujërat e lagunës gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër të Orikumit.

Kjo lagunë veç vlerave historike është e pasur dhe me specie të ndryshme të florës e faunës. Laguna e Orikumit është në një zonë përherë e lidhur me detin nëpërmjet një kanali. Gjiri është shumë i përshtatshëm për zogjtë migrues.

Rezerva e madhe e peshkut rrit mundësinë për Karabullakët, Çafkat e mëdha të bardha dhe Çafkat gri. Peshkimi dhe rritja e peshkut në lagunë nuk janë shumë të shfrytëzueshme.

Kryesisht peshkohen Ngjalat, Venerupis pullastra dhe Koca.

Poshtë shtratit të ngjelmët të lagunës, ndodhet misteri i pa zbuluar i një qytetërimi të hershëm, Oriku.

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që e ndanë nga laguna e vogël nga gjiri (Pasha-Liman).

Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme.
Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në vërshimin e turistësh të shumtë vendës dhe të huaj, që vijnë dhe e vizitojnë atë.

Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara.

Ende një pjesë e tij, mbase më intriguesja, nuk është zbuluar akoma apo mbahet peng nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.

Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pasha-Liman tek Gjiri i Bristanit duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit.

E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.
Edhe laguna zë pjesën e vetë në aktivitet turistike dhe mjedisore të kësaj zone të pasur me vepra arkeologjike që dëshmojnë historinë e saj. Misteri nuk është zbuluar akoma i gjithi, nuk dihet çfarë ka nën shtratin e Lagunës?!… / KultPlus.com

Të ngjajshme