Lansohet gara globale për inovatorët e rinj të Kosovës

12 Tetor, 2018 - 2:30 pm

Sot u lansua një garë e re që u bën thirrje inovatorëve të rinj në tërë Kosovën për të ardhur me zgjidhje të cilat do ta përmirësojnë arsimimin, zhvillimin e aftësive dhe trajnimin për të rinjtë, dhe për t’i fuqizuar ata për të ndërmarrë veprime lidhur me çështje të rëndësishme për ta, shkruan KultPlus.

Kandidatët fitues do të kontribuojnë në suksesin e Generation Unlimited, i cili është një partneritet i ri ambicioz, i lansuar në një organizim të nivelit të lartë gjatë Seancës së 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. me qëllim përfshirjen e çdo të riu në arsimim, trajnim ose punësim cilësor deri më 2030.

‘Youth Challenge’– e cila do të mbahet këtë vit në 16 vende në botë, duke përfshirë Kosovën – u bën thirrje të rinjve të krijojnë zgjidhje të cilat do t’i përkrahin tri shtyllat kryesore të Generation Unlimited: arsimi i mesëm; aftësitë e të mësuarit, punësimit dhe punës së denjë; dhe fuqzimi, veçanërisht për vajzat.

“Të rinjtë janë disa prej shpikësve, krijuesve dhe inovatorëve më të mirë që kemi”, ka thënë Murat Sahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

“Shpresojmë se kjo garë do të inspirojë ide të mrekullueshme nga Kosova për të ndihmuar në trajtimin e disa prej sfidave kritike me të cilat përballen të rinjtë sot”, ka theksuar Sahin.

Kandidatët e suksesshëm do të ftohen të marrin pjesë në një punëtori në Prishtinë e cila do të mbahet në muajin nëntor. Pas organizimit të punëtorisë, do të përzgjedhen pesë idetë më premtuese dhe do të shpërblehen deri në 1,000 secila në financim dhe do t’u ofrohet mentorim për ta përkrahur implementimin e projekteve.

Në pranverë të vitit 2019, projektet e përzgjedhura nga secili vend do të dorëzohen në një proces botëror vlerësimi. Këto projekte do të marrin një investim të mëtejmë prej 20,000 USD, së bashku me një program të përshtatur mentorimi nga partnerët e Generation.

‘Youth Challenge’ në Kosovë po implementohet me përkrahjen e UNICEF Kosovo dhe Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatarë PEN.

Me 1.8 miliardë të rinj në botë, Generation Unlimited është një partneritet dinamik global që bazohet në ekspertizën e të rinjëve, përfaqësuesve të qeverive, organizatave multilaterale, sektorit privat dhe shoqërisë civile për të inspiruar investim urgjent në arsim, trajnim të aftësive dhe fuqizim për popullatën globale gjithnjë në rritje të adoleshentëve dhe të rinjëve të moshave mes 10 dhe 24 vjet.

Generation Unlimited bashkon partnerët për të bashkëkrijuar dhe përkrahur zgjidhje që kanë potencial për të dhënë rezultate në shkallë, për të zhvilluar një platformë për ndarjen e dijes dhe të të mësuarit, dhe për t’u ofruar të rinjëve një hapësirë ku ata mund të angazhohen dhe të bashkëkrijojnë.

Me 200 milion të rinj të moshës së shkollës së mesme të ulët dhe të lartë që nuk ndjekin shkollën, në vend se të jenë duke kontribuuar në progresin e paanshëm, të rinjtë – sidomos ata më të pafavorizuarit – mund të përballen me të ardhme me privim dhe varfëri të shtuar, nëse nuk ndërmirret veprim urgjent.

Generation Unlimited – e cila kontribuon në implementimin e Strategjisë së Kombeve të Bashkuara për Rini 2030 – do t’i plotësojë dhe do të mbështetet në programet ekzistuese që përkrahin adoleshentët dhe të rinjtë.

Bëhuni pjesë e garës duke aplikuar në: https://bit.ly/2zJo6rU

Të ngjajshme