Lansohet instalacioni “#FORHER”, dedikuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

20 Prill, 2019 - 5:10 pm

Sot në Prishtinë u lansua instalacionit #FORHER, iniciator i të cilës ishte mërgimtari Mark Gjonaj nga Batalioni i Atlantikut 40. Instalacioni iu dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht bënë thirrje për drejtësi dhe për bashkim, shkruan KultPlus.

Në secilin karakter (shkronjë) do të ngjiten vathë, dhe me pastaj nga një shkronjë (karakter) do të bartet dhe vendoset nëpër qytet të caktuara. #” do të mbetet në Prishtinë, “F” në Mitrovicë, “O” në Pejë, “R” në Gjakovë, “H” në Prizren, “E” në Ferizaj dhe “R” në Gjilan. Vendosja e vathëve nga qytetarët është parë si një formë solidarizimi me këto pjesë të shoqërisë.

E pranishme në gjatë vendosjes së këtij instalacioni ishte edhe Vasfije Krasniqi Godman, e cila u shpreh se shteti duhet të bëjë më shumë për këto heroina të Kosovës pasi që nëse nuk dënohen kriminelët, nuk do të ketë paqe.

 “Drejtësi  në rastin tim ka dështuar edhe pse kam kërkuar drejtësi që prej viti 1999 kur kam qenë vetëm 17 vjeçare por tani do të kërkoj drejtësi prej shtetit tim dhe prej shtetit amerikan. Ne nuk do të kemi paqe shpirtërore pa pasur drejtësi. Kosova nuk do të ketë paqe nëse kriminelët nuk dënohen. Po ashtu nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje me Serbin nëse këto dhunime e vrasje nuk dënohen”, tha Krasniqi

Krasniqi gjithashtu kërkojë mbështetje nga shteti, shoqëria, familjarët dhe  institucionet ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në anën tjetër Mark Gjonaj, nga  Batalioni “Atlantiku”, tha se ky instalacion ju dedikohet heroinave të shtetit të Kosovës dhe njëkohësisht kërkoi që nga institucionet që të punojnë më shumë në gjetjen e atyre që kanë bërë krime gjatë luftës.

“Dua t’iu them heroinave sot se armiku jonë, barbarët serbë u munduan ta marrin nderin, por e vërteta është se ju jeni nderi jonë, nderi i kombit, jeni heronjtë tanë. Thërras liderët politikë dhe partitë, të dëgjojnë rrëfimet e këtyre heroinave, të ndjejnë ngjarjet e tyre dhe të sjellin këta kriminelë para drejtësisë një herë e përgjithmonë. Motrat tona, vajzat tona, nënat tona po presin që të bëhemi zë për to. Të qëndrojmë në këmbë për to, për veten, popullin tonë dhe shtetin tonë”, tha Gjonaj.

Më pas fjalën e mori Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti e cila tha se këto gra ishin viktima të një dhunë sistematikë të orkestruar për të shkatërruar moralin e kësaj shoqërie.

“Fatkeqësisht rreth 20 mijë  vajza, gra, djem dhe burra ishin burojë e fushëbetejës të luftës duke u abuzuar pamëshirshëm me trupin e tyre. Një dhunë sistematike e orkestruar dhe e përdorur si mjet lufte , dhunë e cila nuk kishte për qëllim ta dëmtonte dhe ta shkatërronte vetëm moralin dhe fizikalitetin e individit por njëkohësish ta shkatërronte edhe familjen, shoqërinë dhe të linte plagë në tërë Kosovën”, tha Rushiti.

Gjatë luftës një numër i madh i të rinjve shqiptaro-amerikanë, lanë gjithë çka kishin, duke filluar nga familja, shtëpitë dhe punën në SHBA, për t’iu bashkuar luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Ata në atë kohë kanë vepruar në kuadër të Batalionit “Atlantiku, që u bë pjesë e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. \Xhenta Uka/ KultPlus.com

Të ngjajshme