22 Gusht, 2022 - 12:30 pm
Në vijim të “Muajit të Fotografisë”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka nxjerrë një tjetër element me vlerë nga fondi i Muzeut Marubi, një fotografi të Lazër Kodhelit, realizuar gjatë ndërtimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës.
Fotografi Lazër Kodheli lindi më 1928, në Shkodër. Ai u arsimua pranë Kolegjit Jezuit në Shkodër dhe si pasojë e një gjendjeje ekonomike jo të mirë familjare, për pak kohë punoi si ndihmës në shtypshkronjën jezuite.
Më 1939 në moshën 10 vjeçare, i ati e dërgoi së bashku me vëllanë e madh për të mësuar mbi fotografinë, në studion fotografike të Gegë Marubit. Qëndroi aty deri në mbylljen e studios. Ishte bashkë me Marubin, Picin, Rraboshtën e më vonë Nenshatin e të tjerë fotografë edhe kur u hap Ndërmarrja e Artizanatit Shtetëror, ku punoi si fotograf.
Studioi edhe si teknik i laboratorit për zhvillimin e fotografisë dhe njihej si përdorues shumë i mirë i blicit. Më 1985 del në pension. Fondi i tij i ruajtur në muze numëron mbi 200 poza të shkrepura në film. Lazër Kodheli ndërroi jetë në vitin 2008./ atsh/ KultPlus.com