6 Maj, 2023 - 9:30 am
Përgatiti: Albert Vataj
Ai, vepra dhe emri i të cilit do të shndërrohej në legjendë, do t’i përkiste përjetësisë, siç ishte dhe mbeti të gjallët e tij nga më të zëshmit kushtrime të ekzistencës sonë në histori.
“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (6 Maj 1405 -17 Janar 1468)”
“Ajo që unë e mora si një shfaqje mrekullie dhe që u profetizua prej shumë vetave për lavdinë e këtij njeriu”, ishte lajmi i lindjes së Gjergj Kastrioti – Skënderbeu
Thonë se kur e ëma, Vojsava, mbeti shtatzënë me të, pa në ëndërr se lindi një dragua aq i madh, saqë mbulonte gati gjithë Epirin, kokën e shtrinte ndërmjet kufijve të Turqisë, të cilët i përpinte me gurmazin e vet të gjakosur, ndërsa bishtin e mbante në det, ndërmjet kufijve të krishterë dhe sidomos të shtetit venedikas.
Gjon Kastrioti, me t’iu rrëfyer ëndrra, e qetësoi me gëzim të madh të shoqen, dhe e profetizoi se prej saj do të lindte një burrë i përmendur në luftë e në vepra, i cili do të ishte armiku më i rreptë i turqve dhe kapedani i tyre më fatbardhë, mbrojtës i fesë së krishtërimit dhe nderiues i përhershëm i pushtetit venedikas.
Citon Marin Barletti në veprën ikonike, “Historia e Skënderbeut”.
Historia e Skënderbeut është themeli i të gjithë historive, të cilat tregojnë shtegun përnga ka kaluar populli ynë në udhën e gjatë të qëndresës dhe qytetërimit, rrugëtim i cili është i shtruar me sakrificat më sublime dhe blatimet më të shenjta. Figura e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është një nga më madhështoret e gjithë asaj rrëfenje që ka ardhur deri në ditët tona. Nuk kishte më të lavdishme deri atëherë dhe nuk do të kishte derimtash një gjurmë yjesh në shkrepëtimën shëmbëllimit të dritës së hyjnis. E tillë është historia e këtij zemërluani, mendjendrituri dhe strategu të shquar të artit të luftës. Të tilla janë bëmat dhe trimëritë, urtësitë dhe gjenialitetet e zgjidhjeve vendimtare për fatin e luftës dhe lirisë. Ai ka kapluar kufinjtë e legjendës, sepse e këtyre përmasave ishte ardhja e tij.
Aniçka, mes të vërtetës dhe trillit është një kufi ndarës, shpesh i padukshëm, imagjinar si një sprovë e kureshtisë dhe ëndjes që sëmbon njohjen dhe përjetimin e atyre ngjarjeve, atyre episodeve që në vetvete përbëjnë vetë historinë e epokës së ndritur të Skënderbeut.
Skëndërbeu, ai ishte një e vërtetë e ndritshme në sytë tanë dhe në historinë e botës. Ai është një kapitull sakrificash dhe lavdie, luftrash të përgjakshme dhe përpjekjesh të paepura për të dëshmuar të drejtën e triumfit.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu është, pa dyshim, ashtu siç e ka përcaktuar, më 1925, historiani i dëgjuar kroat Milan Šufflay “krijesa më hyjnore i kësaj race më të tmerrshme luftëtare, i cili që kur ishte gjallë u madhërua me legjenda të ndryshme nga Evropa Perëndimore. Arësyeja e këtij madhërimi të veçantë rrjedh: ngase Skënderbeu në krye të shqiptarëve përballoi furinë osmane në një kohë kur Evropa përjetonte një nga momentet më kritike të historisë së saj mesjetare.
Ky ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, të tilla ishin dhe mbeten përmasat e kësaj figure emblematike të identitetit tonë kombëtar, jeta dhe vepra e një figure që arriti të thithte interesin e gjithë botës dhe krishtërimi të kishte tek arbëri i madh, Kalorësin e Krishtit./ KultPlus.com