14 Gusht, 2020 - 9:29 pm
Ardianë Pajaziti
“Leja emrin Shkurtë, nalen çikat”, ishte porosia e shumë grave që ia kanë dhënë familjeve që kanë lindë dy e më shumë vajza. Lindja e një vajze nuk është pritur mirë në shumë familje shqiptare, dhe ata besonin se me emrat Shkurte, Shkurtesa, Shkurtime, e deri edhe te emri Sose, do të ndalnin lindjen e vajzave. Dhe nëse kishin një vajzë me emër të tillë, besonin se do tu vinte lindja e një djali në familje, herë duke e konsideruar si trashëgimtar, e herë si person që mund të mbështeten për pleqëri, por një mendim të tillë nuk e mendonin edhe për vajzat, se një vajzë nuk mund të jetë as trashëgimtare e familjes, po as e denjë për ta llogaritur si mbështetje për pleqëri.
Shkurtat janë të shumta në Kosovë dhe Shqipëri, dhe këta emra janë vendosë deri vonë.
Por sot emrin Shkurte, familjet shqiptare e kanë të ndaluar me ligj që ta vendosin. Shqipëria tash e sa vite emrin Shkurte e ka futë në listën e emrave të ndaluar, bashkë me 71 emra të tjerë, që mos ti përdorin për pagëzime të fëmijëve, përderisa për Kosovë nuk kemi arrit të kuptojmë nëse ekziston një listë e tillë.
Shkurte Fejza: Jam vajza e katërt në familje, më pagëzuan me emrin Shkurte për të ndaluar lindjen e vajzave
Është vajza e katërt në familje, dhe pikërisht asaj i kishte rënë ‘hise’ që të bartë emrin Shkurte, që me emërtimin e saj, ti thoshte stop lindjes së vajzave dhe të sillte lindjen e një djali. Kjo familje atëherë as që e kishte menduar që vajza e tyre me emrin Shkurte, do të ishte një Shkurte që me zërin e saj do të bëhej e njohur në të gjitha anët ku jetojnë shqiptarë.
Shkurte Fejza e cila është e rrethuar nga dashuria e gjashtë motrave dhe dy vëllezërve, e kupton vendimin e atëhershëm të prindërve të saj, për ta pagëzuar me këtë emër, duke pas parasysh nivelin e emancipimit të asaj kohe.
“Niveli i emancipimit ka qenë i tillë, ku familjet medoemos kanë kërkuar lindjen e një djali, dhe familjet nuk i janë gëzuar lindjes së vajzës sikurse që i janë gëzuar lindjes së djalit”, thotë Shkurte Fejza për KultPlus, e cila thotë se shumë shpesh ka bërë shaka me vëllezërit e saj, se pikërisht emri i saj ka bërë kthesën në familje ku edhe kanë lindë dy vëllezërit e saj.
Këngëtarja e njohur me emrin Shkurte ka treguar se përgjatë jetës ka takuar edhe shumë Shkurte të tjera, dhe se pothuajse të gjitha kanë pas këtë histori, pagëzim që stopon lindjen e vajzave.
Fejza thotë se përgjatë jetës ka takuar vajza me emrin Shkurte dhe Sose, por jo të gjitha Shkurtet kanë pas për qëllim stopimin e lindjes së vajzave.
“Gjatë viteve të 80-ta isha në kulmin e karrierës sime, dhe atë kohë, shumë familje kanë pagëzuar vajza me emrin Shkurte, duke iu referuar emrit tim”, thotë Fejza, e cila shton se vetëm me emancipimin e grave, një shoqëri mund të zhvillohet dhe të ec përpara. “Nëna është e para ajo që e edukon fëmiun. Dhe për këtë fakt, gruaja duhet të jetë e barabartë në të gjitha fushat e një shoqërie”, ka thënë Fejza, e cila ka potencuar edhe bindjen e saj, se aty ku kanë udhëheqë gratë, ka pas më pak korrupsion dhe më shumë përgjegjësi dhe rregull.
Fejza ka thënë se gruaja duhet të përfshihet edhe në politikë, 50 me 50, pasi që, sipas saj, edhe në realitet janë këto statistika të grave dhe burrave, andaj edhe përfshirja duhet të jetë në këtë përqindje. Kuota prej 30%, sipas Fejzës nuk është e mjaftueshme, edhe për faktin se edhe në atë 30 % po i fusin gratë e dëgjueshme dhe servile apo edhe gra të të afërmeve. “Po përfshijnë gra të dëgjueshme, gra të të afërme, apo dashnoret e tyre. Këto veprime e degradojnë përfshirjen e gruas në shoqëri”, ka thënë Fejza.
Këngëtarja e njohur Shkurte Fejza ka thënë se është e gatshme të angazhohet në kauza të ndryshme për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri. “Do të angazhohesha me shumë dëshirë dhe pasion, sepse vetëm ne mund ta ndryshojmë gjendjen. Historia na ka mësuar se të drejtat nuk dhurohen por fitohen. Po e citoj De Gol, i cili kur kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte treguar gruas së tij se e kanë marë vendimin që do tu lejojnë të drejtën e votës. Ajo ia kishte kthyer se nuk ia kishin lejuar ata, por vetë gratë e kanë fituar këtë të drejtë. “Andaj edhe ne duhet të punojmë shumë që të përmirësojmë pozitën e gruas”, ka përfunduar ajo.
Shkurte Ramushi: Më pagëzuan me emrin Shkurte, sepse nëna ime e adhuronte Shkurte Fejzën
Pagëzimi i saj nuk përkon me shumë Shkurtat e tjera të Kosovës, por adhurimi për këngëtaren e madhe shqiptare Shkurte Fejza, kishte bërë që nëna e Shkurtes ta pagëzonte me këtë emër. Kështu tregon Shkurte Ramushi nga Verbani i Vitisë, e cila është artiste me profesion dhe ka ekspozuar në Kosovë, rajon e deri në Amerikë.
Pavarësisht faktit se emërtimi i saj nuk kishte të bëj me stopimin e lindjes së vajzave, Shkurtja tregon rrëfimin e nënës së saj, se për lindjen e saj nuk ishte organizuar ndonjë festë. “Por emërtimi im nisi një histori speciale në familje, pas meje lindën edhe tri vajza, dhe nënën time e lënduan shumë për këtë fakt. Nëna ime është betuar se emërtimin tim e kishte bërë për dashurinë për këngëtaren Shkurte Fezja, por peshën e këtij emërtimi e ka bartë deri kur jemi rritë. Unë dhe motrat e mia i dëshmuam nënës, babit dhe gjithë të tjerëve se mund të ja dalim dhe të jemi të pavarura. Ata janë krenarë për të katërtat ne vajzat dhe na kanë përkrahur dhe na përkrahin vazhdimisht”, ka thënë Ramushi.
“Besoj që emërtimin tim, nëna ime e ka ndje diku thellë, se shpesh na ka thënë se shqetësimin që ka pas, pse ka lindë vajza, ishte për faktin se në çfarë bote po na sjell, në një vend patriarkal”, ka thënë Ramushi e cila është gruaja e parë e familjes e diplomuar deri në master, pavarësisht faktit se burrat e kësaj familje janë shkolluar edhe më herët.
Shkurte Ramushi e cila tashmë është edhe nënë e një vajze të mrekullueshme, shpjegon se përgjatë fëmijërisë së saj, çdo ditë e më shumë e ka urryer emrin e saj, ngase ka qenë një sinonim i një mallkimi, dhe sipas saj, për këtë fakt njerëzit e kanë mëshiruar.
“Çika e madhe dhe “Shkurta” janë epitetet që më kanë përcjellë gjatë jetës, duke iu dhënë hapësirë njerëzve për të më bombarduar me shumë pyetje mbi familjen time”, ka thënë Ramushi, e cila thotë se kur është rritur e ka kuptuar më thellë pabarazinë që i është bërë gruas shqiptare në shumë segmente të jetës.
Shkurta thotë se përgjatë jetës ka takuar mbi 30 Shkurta, dhe të gjitha e bartin këtë emër po me këtë qëllim, ndalimin e lindjes së vajzave.
Ramushi thotë se pozita e gruas në Kosovë është nën zero, dhe ende nuk e ka kaluar kufirin e gjinisë. Ramushi shumë shpesh është pjesë e kauzave të ndryshme për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare, dhe si artiste synon të jetë zëri i arsyes. “Gjithmonë do të luftoj për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare. Unë së fundi jam duke punuar në dy projekte artistike, njëri ka të bëj pikërisht me këtë temë “Mallkimi i emrit Shkurte” dhe një tjetër për mbrojtjen e natyrës.
Shkurtë Aliu: Emri Shkurtë është emri i një zogu pikalosh, por mua më pagëzuan me emrin Shkurtë, duke u ndikuar nga rrethi
Tashti është regjisore me profesion dhe ia ka dalë mrekullisht të përballet me rrethin, përkundër faktit se si të vogël e pagëzuan me emrin Shkurtë. Ishte vajza e tretë me radhë, dhe prindërit e saj u ndikuan nga rrethi dhe e pagëzuan me një emër që besohej se mund të ndalë lindjen e vajzave, dhe të sjell një djalë një shtëpi.
Shkurtë Aliu tregon për KultPlus se emri i saj gjithnjë i është dukur i çuditshëm, dhe për këtë edhe kërkoi përmbajtjen e këtij emri.
“Kuptimin e emrit e kërkova vet, pasi që gjithnjë më është dukur i çuditshëm. Kuptova se emri im ishte emri i një zogu shtegtar, me pupla të murrmë, një zog i vogël e i këndshëm, zog pikalosh”, tregon regjisorja Aliu për emrin e saj, por natyrisht këtë kërkim e kishte bërë më herët, para se ta kuptonte të vërtetën e këtij pagëzimi.
Aliu e cila tashmë është shumë aktive në shoqërinë kosovare, tregon më pas, se kur është rritur e ka kuptuar arsyen e vërtetë të këtij pagëzimi, dhe sipas saj, prindërit e saj i vunë emrin Shkurtë, pasi ishte vajza e tretë me radhë në familje. “Prindërit e mi u ndikuan nga rrethanat e asaj kohe dhe familjarëve të tjerë, me besëtytninë për me e “shkurtu” lindjen e vajzave të tjera.
Shkurtë Aliu tregon më pas se në familjen që është rritur, më pas ka lindur vëllau i saj, por natyrisht duke hedhur poshtë besëtytninë se ajo kishte sjell lindjen e një djali në familje.
“Emri im nuk më pengon, por më pengon arsyeja se pse më është vënë”, ka thënë Shkurtë Aliu, e cila tregon se i vjen keq për nënën e saj, por edhe për shumë gra të tjera që janë vënë në këtë pozitë për shkak të lindjes së vajzave. “Trysni që e kanë shumë gra edhe sot, sado që ka filluar të zbehet si mendësi”, ka thënë Aliu.
Duke bartë një emër si pasojë e rrethanave patriarkale, Shkurtë Aliu thotë se është rritur me tri motrat dhe dy vëllezërit në mënyrë të barabartë. “Ne jemi katër vajza dhe dy djem, por prindërit na shkolluan në mënyrë të barabartë, poashtu prindërit, sikurse vëllezërve por edhe motrave na kanë ndarë pasurinë e trashëguar”, tregon për fund Shkurta, e cila është nënë e dy fëmijëve, Janës dhe Rubinit, dhe dëshirë e saj është që fëmiu i saj i radhës të jetë përsëri vajzë. “I dua shumë fëmijët, veçanërisht vajzat”, ka thënë Shkurta e Kosovës, e cila është në mesin e shumë Shkurtave të tjera, që bartin këtë peshë të pagëzimit./ KultPlus.com