22 Dhjetor, 2018 - 5:40 pm
Posta e Kosovës ka lëshuar të premten në qarkullim pullën postare me titull “Dëshmorët e Gjakovës” që i dedikohet të gjithë dëshmorëve të kësaj komune, bëhet e ditur përmes faqes zyrtare të postës.
“Pulla postare për dëshmorët e Gjakovës përfaqëson nderin dhe respektin për veprën dhe sakrificën e të gjithë luftëtarëve të rënë të kësaj komunë në luftën çlirimtare të viteve 1998-1999”, thuhet më tutje, transmeton Koha.net.
Në pullë postare është paraqitur imazhi i memorialit “Shokët e Lirisë”, me pesë shtylla të kuqe, që i kushtohet të gjithë dëshmorëve, djemve dhe vajzave, që iu bashkëngjitën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Heroizmi dhe sakrifica e tyre e jashtëzakonshme në mbrojtje të popullatës civile do të jetojë përgjithmonë.
Misioni i dëshmorëve dhe luftëtarëve të Gjakovës ishte demonstrimi më i mirë i vullnetit të palëkundur të popullit shqiptar në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës. Dizajnuesi i pullës të postare është Etrit Zeneli.
Filatelia e Postës së Kosovës ka nderuar edhe në të kaluarën veprën heroike të luftëtarëve të lirisë e këtë do ta bëj edhe në ardhmen./KultPlus.com