23 Maj, 2018 - 1:30 pm
Libohova, qyteti i ndodhur rreth 11 km në juglindje të Gjirokastrës, me një bukuri natyrore magjepsëse dhe monumente me vlera kulturore, falë programit kombëtar të Rilindjes Urbane, po kthehet në një atraksion turistik për qytetarët vendas e të huaj.
Një bashki e vogël, ku njerëzit kishin mbetur peng i rrënimit të së shkuarës, sot po rilind falë investimeve të kryera.
Rilindja Urbane në Libohovë së shpejti do t’i dhurojë qytetit një panoramë të re, duke transformuar dhe rijetëzuar qendrën e qytetit, rrugë dhe objekte me rëndësi historike. Investimi prej më shumë se 134 milionë lekë, i cili parashikon rehabilitimin e plotë të 10 mijë metrave katrorë, është drejt përfundimit.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe drejtues të pushtetit vendor pa nga afër punimet që po e shndërrojnë qytetin nga një zonë të shkretë nga pikëpamja infrastrukturore, në një mjedis funksional e tërheqës për qytetarët dhe turistët.
Ministrja Kumbaro shpjegoi se rehabilitimit të plotë do t’i nënshtrohen edhe godina e bashkisë, shkollës, unaza e qytetit, por edhe i zonës historike, me restaurimin e sarajeve të Myfit bej Libohovës.
“Në total janë rreth 10 mijë metra që rehabilitohen, por pjesë e projektit është edhe restaurimi i shkollës, bashkisë, kemi edhe restaurimin e Sarajeve të Libohovës që është një pjesë historike e rëndësishme dhe unaza gjithashtu. Ideja është që të bëhet këmbësore e gjithë shëtitorja. Që tani kanë filluar edhe investimet private që deri dje nuk iu shkonin në mendje, të lokaleve rreth e rrotull sheshit”.
Sipasa saj, kemi gati edhe projektin për rikualifikimin e zonës së kalasë së Ali Pashë Tepelenës, me gjithë ndriçimin përkatës.
Punonjës të bashkisë së Libohovës bëjnë të ditur se “ustallarët e zonës janë mjeshtra të vërtetë dhe në periudhën e verës në darkë rruga do të kthehet në pedonale”.
Banorët e Libohovës shprehen se Libohova vërtet është një qytet i vogël, por i bukur.
“Këtu ka ndryshuar gjithçka më parë çdo gjë ishte e vjetër, ndërsa tani ka dalë diçka shumë e bukur dhe po afrohen sa më shumë njerëz në Libohovë”, thotë një i ri libohovit.
Ndërsa një tjetër banore thotë se “tani vijnë më shumë turistë se më përpara. Çdo gjë ka ndryhsuar nuk është investuar ndonjëherë në Libohovë sa është investuar tani”.
Banorë të tjerë theksojnë se kënaqen njerëzit vijnë shumë vizitorë, më parë ishte rrugë makine.Kjo punë e bukur që u bë do të mbetet në mendje për të gjithë libohovitët, sepse u bë diçka e bukur, po ruhet kultura e Libohovës”.
Sipas studiuesve, Libohova e ka marrë emrin pas shekullit VI, pasi sllavët u dyndën dhe pushtuan Arbërinë. Mbi këtë emër, mendohet të ketë dy kuptime; i pari Libohova, vend buzë fushës, luginës dhe i dyti, Libodo, që do të thotë i dashur, me kuptimin vend i bukur dhe prapashtesa përkëdhelëse.
Qyteza e vogël shquhet për kalanë e Ali Pashë Tepelenës, dhuratë e motrës së tij Shanishanë. Shanisha u martua me një nga anëtarët më të rëndësishëm të familjes Libohova dhe kalaja ishte paja e Ali Pashës për të motrën. Shanishaja tashmë prehet në varrezat në jug të kalasë. Kalaja kishte një pozicion strategjik dhe kontrollonte gjithë luginën.
Zona ku shtrihet qyteti ndahet nga disa përrenj në zona të veçanta shkëmbore në të cilat burojnë ujërat e kristalta dhe të ftohta të burimeve të Zhepes, te Lozes etj.
Në qendër te Libohovës ndodhet rrapi shumëshekullor mbi 560 vjeçar, një monument i rrallë i natyrës, i cili është i rrethuar nga rrepë të tjerë. Ata i japin qytetit gjelbërimin, bukurinë dhe freskinë verore.
Gjithashtu bien në sy, në qendër të qytetit, sarajet e bejlerëve të Libohovës.
Kalaja e Libohovës, me katër kulla shumëkëndëshe nëpër qoshet dhe murin që rrethon një sipërfaqe të gjerë, është një fortesë me përmasa të konsiderueshme./ata