Linda Treska, shqiptarja që “grimos” New Yorkun

4 Maj, 2019 - 8:00 pm

Me rreth 22 vjet përvojë pune në industrinë e bukurisë, Linda Treska, themeluese e kompanisë së kozmetikës “Pinch of Colour”, filantrope, udhëheqëse e shoqatës bamirëse “Blue Angel Charity”, synon që kompania e saj e bukurisë të jetë e njohur në përmasa botërore sikur Vincent Longo, Laura Mercier, Laura Geller, Estée Lauder e shumë brende tjera të njohura

Intervistoi: Lumturije Beka

Për herë të parë, një femër shqiptare ka mundur të krijojë një “brand name” të regjistruar me të drejta të plota për të prodhuar produkte kozmetike të cilësisë më të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht aty ku jeton e punon, në qytetin e New Yorkut.

Nëpërmjet udhëtimeve sidomos të vendeve të botës së tretë, dhe përvojës së saj personale të mungesës së ujit si fëmijë, Linda është prekur thellë nga këto pasoja shkatërruese në mbarë globin, prandaj misioni i saj një është që të ndihmojë fëmijët nëpër botë me ujë të pijshëm.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo tregon rrugëtimin e saj drejtë suksesit, pasionin për punën që ka gjenezën e bukurisë, kauzën se si të vazhdohet më tutje me produktet e saj të krijuara pa ujë, që shërbejnë si një burim i çmuar natyror.

“E dimë se uji përdoret si një burim jetik, por për produkte tona ne përdorim botanikën qetësuese, vajrat natyrale ushqyese, kërpudha frutash të cilat janë të dashura për lëkurën. Kjo teknologji e thatë rezulton me formula jo toksike dhe hidratuese që rrisin shkëlqimin e lëkurës, me pigmente të vetë-përshtatura që përzihen në mënyrë të përsosur dhe me ngjyra të përqendruara”, tregon Linda për produkte e saj të kozmetikës, të cilat tashmë kanë hyrë në tregun ndërkombëtar.

Në vazhdim ajo tregon se një pjesë e të ardhurave të kompanisë së saj të kozmetikës , janë të dedikuara për ta mbështetur organizatën e saj bamirëse të ujit, duke ngritur fonde, që kanë për qëllim përmirësimin e qasjes me ujin e pijshëm, sidomos në vendet e botës së tretë.

Jeni afariste që po depërtoni përmes brendit tuaj “Pinch of Colour”, në sferën botërore të kozmetikës në SHBA dhe në vendet tjera të botës. Na tregoni pak për punën tuaj, vështirësitë, sfidat e rrugëtimit tuaj deri tek suksesi?

Puna ime ka filluar para 22 vitesh kur unë lëviza me familjen time nga Korça, në New York City. Isha vetëm 16 vjeçe, kur hyra në rrugën e kozmetikës dhe të modës pa ditur përmasat e këtij biznesi ndërkombëtar. Fillimisht kam punuar në një supermaket për të ndihmuar familjen për jetesën fillestare në New York, pastaj më vonë duke punuar me orar të plotë, dhe duke studiuar po ashtu me orar të plotë, fillova të mësoja rrugët që duhet të ndiqja për të realizuar ëndrrën time. Mbas 6 vitesh, kur dhe mbarova Universitetin e Fashion Insitute of Technology në New York, me diplomën në Cosmetics & Fragrances Marketing, hyra në botën e korporatave, me punën e parë në një kompani, që sapo kish filluar dhe quheshe “Vincent Longo Cosmetics”. Aty fillova si asistente, dhe më vonë mora titullin ‘Drejtor”, dhe menaxhoja një kompani që bënte më shumë se 20 milion dollarë në vit. Mbas këtij suksesi, punova për kompanitë “Estee Lauder International”, Manager of Product Innovation për Asia/Pacific regions, Laura Mercier, Excecutive Director of Global Product Development; Laura Geller, Vice-President of Global Product & Package Development; dhe, më pas u riktheva tek Vincent Longo, por kësaj radhe si COO (Chief Operation Officer). Mbas 18 vitesh pune, arrita në një pikë ku ndihesha gati për të marrë një sfidë më të madhe, por edhe më interesante, ajo ishte hapja e biznesit tim, ‘Pinch of Colour’.

Pse vendosët të merreni me kozmetikë?

Nuk e di, por që e vogël kur isha në Korçë, isha shumë e pasionuar pas artit, vizatimeve, makijazhit, parfumeve. Çuditërisht asnjëri në familjen ose rrethin tim nuk i preferonte këto gjëra, kurse për mua ka qenë gjithmonë një pasion i pafundmë. Gjithmonë mamaja ime thoshte “kujt i ngjet kjo vajzë që i pëlqen kaq shumë moda dhe bukuria.” Fillimisht studiova një shkollë profesionale që quhej ‘Learning Insitute of Beauty and Science’, dhe aty mora titullin ‘Makeup Artist’. Punën e grimeres e ushtrova si profesion profesional për 6-vjet. Punova me artistë të tjerë të njohur, top modele, pasarela mode (New York Fashion Week), photoshoots, gjithashtu krijova edhe biznesin tim me evenimente si dasma, party, dhe punë private. Në të njëjtën kohë shkollën (universitetin) nuk e ndalova. Për të mbijetuar, punoja dhe punë në dyqanet e kozmetikës (Retail) si Barney’s New York, Henry Bendels, Bloomingdale’s, etj., në kompani të ndryshme që mësoja artin e shitjes (Retail Business).

Kush ju ka ndihmuar gjatë rrugëtimit tuaj?

Ne si emigrantë, fatkeqësisht nuk na ka dhënë asnjëri dorën për hiçgjë, kemi ardhur në një shtet që nuk të fal gabimet dhe nuk të kujton çdo ditë që, pa punë nuk ka arritje. Unë atë që kam dashur ta bëjë e kam bërë, sepse kam punuar ditë e natë për të arritur diku. Thjesht me gjak dhe me djersë, me disiplinë, me fokus dhe më determinim për të arritur pikësynimet e mija. Megjithatë, gjatë rrugëtimit tim kam patur privilegjin të punoj më shumë njerëz të talentuar dhe shumë të zgjuar që unë kam mësuar shumë. Kam qenë me fat që në moshë të vogël më është dhënë mundësia të krijoj një lidhje të fortë për të qëndruar me të dyja këmbët në tokë. Mbi të gjitha, kam patur mbështetjen familjare që për mua ka qenë shumë e vlefshme dhe më ka dhënë një balancë, dhe një mbështetje. Vendimet që kam marrë e dija që çfarëdo që mund të ndodhte, familjen do e kisha aty. Dhe kur kupton të realizosh këtë fakt, asgjë nuk të tremb.

Është shumë e lodhshme të drejtosh në biznes të tillë në kryeqytetin e botës?

Besoj që bizneset janë të vështira të drejtohen kudo në botë. Përgjegjësia është e madhe, ngarkesa e punës është kolosale dhe ke shumë pak njerëz që të kuptojnë, dhe shumë pak njerëz që mund t’i besosh. Pastaj, për mua hidhet dhe fakti, që Amerika ka konkurrencë shumë të madhe në botën e kozmetikës. New Yorku është një nga kryeqytet e modës dhe të kozmetikës dhe kjo industri është ndërkombëtare në 10 vitet e fundit ka tejkaluar përmasat e saj duke  arritur në gati 450 bilion dollarë kjo industri. Kështu që, tani të gjithë kërkojnë të hyjnë dhe sa më shumë hyjnë “supply surpases the demand” (furnizimi tejkalon kërkesën), kjo e bënë të vështirë, sepse konkurrenca bëhet më e ashpër dhe më e thellë.

Ju jeni edhe një filantrope e mirëfilltë në misionin tuaj të qartë që të ndihmoni fëmijët dhe shkollat nëpër botë, që të kenë qasje në ujë të pastër. Çka ju ka frymëzuar që të merreni më këtë çështje?

Kur fillova të konceptoja imazhin e biznesit tim te ri ‘Pinch of Colour’, më pëlqente ideja dhe imazhi i saj, një kompani që nuk përdorë ujë dhe prezanton konservimin e ujit në botë. Por diçka nuk më plotësonte idenë komplet, dhe ecja nëpër shtëpi dhe thoja, mungon diçka… Doja që ky biznes të kishte një rrahje zemre, të kishte diçka të veçantë që kishte kuptim dhe nuk ishte një kompani thjeshtë për të bërë para. Dhe, kur fillova të kërkoja brenda vetës time, çfarë më bënte mua të ndihesha e lumtur, gjithmonë kthehesha në të shkuarën time dhe mendoja për fëmijërinë time. Jemi rritur me shumë vuajtje, pa ujë, pa drita, me luftë, me trazira politike, me përplasje dhe me shumë mundime. Sa herë që shkoja në Shqipëri, gjithmonë kam ndihmuar njerëzit me aq sa kisha mundësi dhe ajo ndjenjë më ka bërë gjithmonë të ndihem mirë. Prandaj, frymëzimi ishte jeta ime dhe çfarë unë kam kaluar, prandaj  vendosa ta ktheja këtë memorie në një mision që ndihmon fëmijët nëpër botë me ujë të pijshëm, duke filluar nga shkollat dhe pastaj komunitetet.

Na tregoni për këtë pjesë emocionuese të filantropisë suaj?

Projekti i parë ishte në Kalkuta, India. Aty ne ndërtuam një ujësjellës për një shkollë me 100 fëmijë dhe për një komunitet me 180 familje. Projekti i dytë ishte në Santo Domingo, Domenican Republic, aty bëmë një marrëveshje partneriteti me një Non-Profit që sponsorizonte sistemin e filterit nëpër shkolla, ku uji është me nivele të larta hekuri. Ne sponsorizuam një pjesë të projektit. Këtë vit, krijuam një projekt në Kenya, Afrikë, për 400 fëmijë në një nga shkollat në një qytet të vogël në Nakuru, Kenya. Më 22 mars, shkova bashkë me bashkëshortin në Kenya për të festuar World Water Day (Ditën Ndërkombëtare të Ujit) bashkë me 1,500 fëmijë, që na prisnin për të na falënderuar për fondet që kishim dhënë. Për mua, filantropia është shumë speciale, i dua shumë fëmijët dhe kur bëjmë një fëmijë të lumtur, e ardhmja është e bukur.

Cilat janë projektet tuaja për vitin 2019, si në sferën e punës e po ashtu edhe në atë të bamirësisë?

Jemi duke punuar në disa prodhime të reja. Po na marrin kohë më gjatë se çfarë kisha planifikuar, sepse teknologjia “waterless” ose pa ujë, është më e vështirë se teknologjia e kozmetikës me produkte që kanë ujë. Megjithatë, jam optimiste që produktet e reja do të jenë shumë speciale. Në sferën e bamirësisë, jemi duke biseduar për projekte dhe në Shqipëri, shpresoj që të më jepet mundësia që të ndihmoj dhe fëmijët në shtetin tim, sepse e di që ka shumë nga ata që kanë nevojë për ndihmë. Lutem që kjo gjë të realizohet.

Kohëve të fundit keni organizuar eventin “Blue Angel Charity”. Na flisni pak më shumë rreth kësaj?

“Blue Angel Charity”, është organizata e bamirësisë që kam krijuar së bashku me bashkëshortin tim, në kujtim të babait tim që ndërroi jetë para 3-vitesh. Ka qenë një humbje shumë e madhe për mua dhe një nga arsyet që unë vendosa të hap biznesin tim. Babai im ishte një njëri shumë dashamirës, shumë zemërbardhë dhe gjithmonë më të drejtën, prandaj nuk kishim si ta emëronim këtë organizatë bamirësie përveçse mbas emrit të tij Engjëll “Angel”, sytë e tij ishin “Blue” blu, gjithashtu dhe uji përshkruhet “blu”, prandaj ‘Blue Angel Charity’, u formua në janar të 2016. Edhe pse kemi 3 vjet që e kemi krijuar këtë organizatë, ne nuk e kishim vënë në punë deri në shkurt të këtij viti, kur festuam hapjen e saj në New York City, me një koktej mbrëmje, dhe Fundraiser Event (mbledhje fondesh) për të ndihmuar projektin e Kenyas. Ishte një natë e përkryer, me një elitë njerëzish shumë special me plot dashuri dhe më shumë mbështetës.

Pinch of Colour, ka filluar punën para dy viteve e gjysmë, por që ka një rritje të jashtëzakonshme në treg. Brendi juaj mund të gjendet në dyqanet e Antropologjisë, në Amazon, në Lindjen e Mesme, në Angli dhe tani synim keni edhe Evropën. Kujt ia atribuoni rritjen jo vetëm të shëndetshme, por edhe suksesin e Pinch of Colour?

Mund të them, që përveç mendjes së përgatitur dhe punës kolosale, ka qenë edhe pak fati. E themi në anglisht “Being at the right place at the right ime” (Të jesh në vendin e duhur dhe kohën e duhur). Për mua kompania ka qenë e shëndetshme, por suksesin që ëndërroj është shumë më i madh dhe nuk kam arritur aty akoma. Kemi shumë punë madhore për të bërë në lidhje me rritjen e biznesit. Shpresoj që suksesi do ketë vazhdimësi.

Çfarë këshille keni për markat e tjera të reja që kërkojnë të zgjerojnë gjurmët e tyre në biznesin sidomos me pakicë?

Duhet të jesh gjithmonë gati për çdo gjë që të del përpara. Por, gjithmonë duhet të punosh me partnerë që të kuptojnë dhe mbështesin, vizionin dhe biznesin tënd.

Cila është pjesa juaj e preferuar e zotërimit të kompanisë suaj?

Më pëlqen çdo gjë në lidhje me biznesin tim, jam shumë e apasionuar dhe kurioze të mësoj çdo gjë, por po të zgjidhja një, do më pëlqente të ecja më tutje në profilin tim që është inovacioni dhe “trend forecast”, parashikimi i trenit, dmth., të jesh në hap me kohën.

Klientët janë të interesuar të investojnë në produkte që ata besojnë se janë më të duhurit. Çfarë dëshironi ju që klientët tuaj të dinë më shumë për Pinch of Color, në mënyrë që ata të kenë besim të vazhdueshëm në këtë brend?

Pinch of Colour, është një brend i vogël, por me shumë shpirt. Ndryshe nga brendet me emra të mëdhenj, në kompanitë e vogla çdo gjë analizohet me pasion, me dashuri dhe me pikësynimin për të ofruar një produkt cilësor me materiale natyrale, por edhe një produkt që do të ndihmojë të tjerët. Brendet e mëdha nuk mendohen shumë për të tjerët, por vetëm për xhepin e tyre, dhe kjo lakmi nuk ka të ngopur. Kohët kanë ndryshuar dhe e ardhmja jonë nuk është më vetëm të shesësh për para e lakmi, por të krijosh një biznes dhe një komunitet të qëndrueshëm e të shëndetshëm.

Çka presim në të ardhëm për brendin Pinch of Color?

Shpresoj vetëm gjëra të mira… Ndoshta shumë shpejtë edhe një investitore, për të përhapur shpërndarjen globale.

Ku e gjeni inspirimin për punën gjatë përditshmërisë suaj?

Kam shumë energji, jam shumë e dhënë pas artit, kuzhinës, udhëtimeve nëpër botë, por edhe shumë e lidhur me dy fëmijët e mi, me familjen me shoqërinë. Dhe këto gjëra, ia japin jetës time një ylber të bukur, më lejojnë të inspirohem, të ëndërroj edhe më tutje për gjërat e mira.

Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptar të cilët kanë synim suksesin?

Çdo gjë që kam arritur në jetë në fillim e kam ëndërruar, besuar dhe më vonë kam punuar shumë për ta arritur. So, never give up. ‘Mos u dorëzo kurrë”. /Telegrafi/KultPlus.com

Të ngjajshme