Liqenet akullnajore të Valamarës, oaz pranë qiellit për turistët

18 Tetor, 2021 - 5:34 pm

Maja e Valamarës, në Gramsh një parajsë turistike e gjendur në një lartësi të madhe me liqene akullnajore, është një ndër destinacionet më të bukura për turistët.

Bashkia Gramsh ka publikuar disa foto nga liqenet e Valamarës, si një pikë ndjellëse për të shijuar turizmin malor ndër më interesant dhe të panjohur të Shqipërisë.

Një nga arsyet për të vizituar malin Valamara janë tre liqenet akullnajore, që ndodhen rreth 2 200 metra mbi nivelin e detit, pranë fshatit Lenie.

Liqenet kanë madhësi mesatare prej 300 metra të gjatë dhe 200 metra të gjerë, me ujë të ftohtë të pastër si kristal.

Liqenet e Valamarës krijojnë një ekosistem interesant dhe kanë gjithashtu vlera gjeologjike, ekologjike dhe kulturore.

Zona është e përshtatshme për shëtitje, ngjitje në mal, eksplorim shpellash dhe aktivitete të tjera në natyrë.

Valamara është mal me lartësi 2373 m në kufirin midis rrethit të Korçës, atij të Gramshit dhe të Pogradecit. Në veri kufizohet me Gurin e Topit, kurse në jug me Lenien. Është i ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj ultrabazikë.

Ka forma të shumta të relievit akullnajor dhe liqene akullnajore (mbi 1600 m). Në shpatin lindor buron lumi Shkumbin, kurse në atë perëndimor dhe juglindor, Devolli. Bimësia përbëhet nga pyje ahu e pishe në pjesën e ulët dhe nga kullota të pasura verore në pjesën e sipërme. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme