Lu Salome, gruaja mendjendritur që hodhi themelet e feminizmit

25 Prill, 2019 - 1:30 pm

Ajo është atje, hipur në një karrocë e tërhequr nga filozofi Niçe dhe i adhuruari tjetër i saj, orientalisti gjerman Paul Rée. Ishte e habitshme kjo fotografi komike që prej vitesh më kishte tërhequr vëmendjen. Në duar mban një kamzhik dhe ata dy njerëz aq të mënçur ishin si të thuash të mbrehur ne qerren e saj.

Fillimisht të duket thjesht një shaka, edhe pse kjo muzë e dashurisë, e poetëve dhe e filozofëve, kishte jo pak pushtet në burrat e mënçur të asaj kohe, jo thjesht për imazhin fizik dhe bukurinë natyrale që kishte me hiret e saj, por së pari për inteligjencën dhe kurajon e saj për të kërkuar shtigje të reja të botës femërore, që deri në atë kohë ishte konsideruar thjesht si një «makineri» prodhimi, për mbajtjen gjallë të species e vazhdimësisë humane dhe jo si një krijesë e barabartë me botën e meshkujve që deri atëherë zotëronin gjithë tribunën e plejadës së njerëzve të shquar gjatë shekujve.

E pra, Lou-Andréas Salomé, (Lioulia von Salomé), ajo vajzë me ata sy të mëdhenj e të zinj, ishte ndër të parat luftëtare feministe dhe një europiane e vërtetë. Nga vinte kjo grua, ç’përfaqësonte filozofia e saj dhe ajo krijimtari e cila është jo e pakët gjatë viteve të shumta të krijimtarisë së saj.

Feministet e shekullit XX dhe ato të sotme, nga Simone de Beauvoir e gjer tek lëvizjet më të fundit feministe, i referohen shpesh kësaj figure me origjinë gjermane. Pas ikjes nga Shen Petersburgu ku lindi më 1861dhe u rrit gjer në moshën 17 vjeçare e më tej, me udhëtimet dhe qëndrimet e shpeshta nëpër metropolet e Europës së fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, ajo u kthye në një nga figurat më spikatëse të femrës moderne të epokës që jetoi.

Lu-Salomé ishte e habitshme: edhe pse i dashuronte miqtë e saj të afërt, ajo e linte mënjanë dashurinë fizike, pasi kishte kultin e dashurisë shpirtërore, aq sa dhe kur dikush ra në dashuri me të dhe donte të martohej, meqë Lu e refuzoi, ai i tha se ndryshe do të vriste veten. Dhe Lu u martua me Friedrih Andreas veçse me kushtin se nuk do të bënin dashuri fizike. Dhe kështu do të ndodhte. Lu kishte të dashurit e saj dhe shpesh dhe burrin e saj mes tyre.

Ajo ishte një muzë arti dhe mendimesh për ta. Përmes leximeve të saj të shumta dhe një shpirti krijues e plot ndjenja ajo mundi të spikaste në botën letrare e filozofike. A nuk shkruante biografja e saj franceze Isabelle Mons se «Niçja, Frojdi dhe Rilke, ishin tre diamantët e kurorës së saj”, pasi që të tre këto figura madhore të Europës e botës u lidhën ngushtë me të, secili në mënyrën e tij.

I pari ishte Friedrich Nietzsche, të cilin Lu e shikonte si atin e mendimit, si një profet dhe ku shumë pikëpamje novatore të saj, për Niçen ishin mjaft moderne. Por motra e Niçes, kishte një xhelozi të sëmurë ndaj Lu dhe ajo u bë shkak më vonë i ndarjes së tyre, për çka Niçe që donte të martohej me të, nuk do ta falte kurrë motrën e tij.

Pas largimit të Lu-së nga jeta e Niçes, filozofi i madh ra në depresion të thellë dhe piërisht në atë kohë shkroi dhe librin e tij të famshëm “Kështu foli Zarathustra”, ku shumë ide të këtij libri mbi Zotin, forcën e njeriut dhe kërkimin e një sistemi të ri të njerëzimit, ai i kishte diskutuar me muzën e tij. Gjer në takimin me poetin Erih Maria Rilke, Lu përjetonte botën e spiritualitetit çka i jepte mundësi të ishte pranë filozofisë për të gjetur përgjigje rreth raporteve njeri-shoqëri- religjion e ku Zoti shihej i pafuqishëm për të zgjidhur problemet e kompleksitetit njerëzor në gjithë qerthullin e vet, duke përfshirë evolucionin dhe politikën. Lu i kishte për zemër principet darviniste. Por takimi me Rilken do ta hidhte në një botë tjetër, edhe pse pozicionet e saj feministe mbetën konstante në gjithë jetën e saj si shkrimtare.

Ajo ishte 36 vjeç ndërsa Rilke 22 vjeçar, një poet i verbuar nga kjo grua plot hire që do të bëhej për të një muzë e përjetshme gjer në elegjitë e fundit dhe në vdekjen e tij. Në vitin 1897, në djalosh i shkruante poezi anonime, gjersa më në fund ajo e njohu dhe ra në dashuri me të. Ishte Rilke. Pastaj ankthe, dëshpërime, depresione, 134 letra dashurie të Rilkes dhe 65 letra të saj zbulojnë një marramendje të tërë…

E vetmja dritë që mund ta prehte Rilken ishte Lu, por ajo nuk mund ta shëronte, nuk mund ta shpëtonte, edhe pse në një pyll bavarez ata përjetuan shtratin, dashurinë patetike të tre vjetëve bashkë, aventurën e trupit e të shpirtit si dhe udhëtimet nëpër Europë apo udhëtimi i tyre i famshëm në Rusi kur shkuan në Jasnaja Poljana të takojnë idhullin e tyre Leon Tolstoi.

“Ti je dita e festës time… – i shkruante ai…”Burimi im i kthjellët. Përmes teje dua të shoh botën, pasi në të njëjtën kohë do të shoh jo botën por ty, vetëm ty… Dhe tani dua të jem ti. Zemra ime digjet para hireve të tua ashtu si llampa që digjet para Madonës…» Deklarata, dashuri, vargje, dehje, ekstazë, fshehur në një shtëpi, ditë pas dite, muaj pas muaji, larg njerëzve. Më së fundi ja ku Lu zbuloi një tjetër botë, atë të seksit, një përjetim sublim të bashkimit të trupave, ngjizjes…

«Dhe ashtu, – do shkruante më pas Lu, – ne u bëmë burri dhe gruaja para se të bëheshim miq dhe kjo miqësi nuk ishte aspak frut i një përzgjedhjeje, por i lidhjeve klandestine… Ne nuk ishim dy gjysma që kërkonin njëra-tjetrën brenda nesh: bashkimi ynë i papritur gjente vetveten, ashtu drithërues, në një bashkim të paeksploruar».

Por vite më pas Lu u shkëput nga Rilke i cili i ngjitej ngado dhe e cënonte pavarësinë e saj tmerrësisht. “Jam në errësirë si një i verbër”, i shkruante poeti. Ndërsa më vonë Lu do ti shkruante: “Nëse për disa vjet isha gruaja tënde, kjo sepse ti për mua ishe “realiteti i parë”, ku trupi dhe burri janë të padallueshëm e si një fakt i pakundërshtueshëm i vetë jetës. Do doja tani të të thoja atë që më ke thënë, duke pohuar dashurinë tënde: ”Vetëm ti je realja…”

Poezitë e Rilkes për Lu janë nga më të bukurat në korpusin letrar të këtij poeti të madh. Në qershor të vitit 1903, Rilke i dërgonte Lu-së një “thirrje të fundit», siç e cilësonte ai. Dhe ajo e vuante gjendjen e tij, por gjendja e poetit ishte e trishtë dhe e rëndë, ai binte gjithnjë e më shumë në humnerat e trishtit dhe të përhumbjes.

Pas një viti bashkë me të ajo shkoi në Paris në atelierin e skulptorit të madh Roden, dhe ajo e kuptoi se tek Roden, Rilke gjente si të thuash modelin e tij mashkullor. Por më në fund ajo do të shkëputej përfundimisht nga poeti duke menduar se vetëm një epistolar letrash me Rilken mund ta mbante gjallë frymën e tij dhe ti jepte pak dritë, gëzim, besim në vetvete dhe artin e tij.

«Nëse ti ke përjetuar gjithë këto trazira shpirtërore, kjo ka ardhur, – i shkruante ajo, – nga krijimet e tua të reja. Ja pse ti vuan, dhe kjo më gëzon. Gëzimi që flladit sipër letrave të tua nuk ka ardhur deri tek ti, dhe ajo nuk është vetëm jotja. Në hijen e këtij gëzimi, pas dhimbjes, ti do të njohësh paqen e vërtetë…».

Lu kërkonte ta paqtonte atë shpirt të tronditur, por kjo ishte e pamundur pasi shpejt Rilke do të vdiste nga leucemia në një spital të Zvicrës, kujtime që ajo do ti shkruante në librin “Prill, muaji ynë Rainer”. Në këtë kohë ajo nisi përsëri udhëtimet nëpër Europë duke shkruar kritika teatrale apo tregime për revistat gjermane, etj. Megjithatë, vdekja e Rilkes i la gjurmë të mëdha pasi ajo filloi ta ndjente veten fajtore që nuk arriti ta nxirrte nga depresioni i tij. / insajderi/ KultPlus.com

Të ngjajshme