9 Gusht, 2017 - 9:35 am
Agjenci të shumta turistike, këto ditë të nxehta gushti, udhëtojnë më së shpeshti në drejtim të veriut të vendit. Kjo për vet arsyen sepse në lartësi është më freskët, por edhe sepse tashmë zona veriore e vendit ka mjaftë destinacione turistike.
Është Liqeni i Komanit me bukuritë e tija përrallore, është Thethi, është Valbona dhe plot vende me natyrë të bukur dhe tërheqëse.
I tillë është dhe Lumi i Shalës, një destinacion turistik që përshkruhet nga vizitorët që e kanë parë nga afër si perla e bukurive të Komanit.
Ngjyra e ujit është karakteristikë e këtij lumi dhe shkëmbinjtë e thepisur duket sikur prekin qiellin.
Në lumin e Shalës do gjeni shumë bukuri të cilat është e vështirë të përshkruhen me fjalë.
Lumi i Shalës është lum i cili buron rrëzë Alpeve Shqiptare. Ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi Shalës dallohet me ujin e tij të veçantë ngjyrë blu e thellë.
Lumi është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla.
Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin. Në lumin e Shalës gjendet një bukuri e rrallë, që mahnit çdo vizitor.
Ky lum, këto ditë është bërë një destinacion turistik si për të huajt dhe vendasit, ku ata e përshkruajnë si perlën e bukurive të Komanit e të Shqipërisë. Aty veç natyrës së bukur mund të bësh edhe plazh në zonën ranore të tij ku bashkohet me Liqenin e Komanit. Çdo javë nisen drejt këtyre burimeve ujore me bukuri të rrallë agjenci të shumta të shërbimit turistik. Lumi i Shalës është një dashuri me shikim të parë. / KultPlus.com