12 Shtator, 2018 - 12:29 pm
Në një komunikim përmes një postimi në Facebook, dje me datë 11 shtator, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ju kishte drejtuar deputetes Vjosa Osmani, duke e quajtur atë “nuse e Preshevës”, përcjellë KultPlus.
Lidhur me këtë ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës, duke thënë se gjuha e tillë poshtëruese dhe seksiste është e dënueshme jo vetëm në Kosovës, por në të gjithë botën. Duke bërë një deklaratë të tillë, Haziri po nënvlerëson aftësitë e grave për të udhëhequr, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për përhapjen e diskriminimit gjinor që nënvlerëson pozitën e grave si udhëheqëse politike.
“Për Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), reduktimi i rolit të grave në atë të “nuseve” tregon edhe një herë për bindjet dhe qëndrimet që burrat kosovarë, e veçanërisht burrat në pozita vendimmarrëse kanë karshi kolegeve të tyre gra. Gjuha e tillë denigruese, poshtëruese dhe seksiste është e dënueshme jo vetëm në Kosovës, por në të gjithë botën”, thuhet në komunikatë.
RrGK me anë të komunikatës u bënë thirrje të gjithë burrave në politikë, që në diskursin publik të përdorin gjuhë të denjë dhe të debatojnë duke u bazuar në fakte dhe në argumente të denja politike, e jo të përdorin gjuhë seksiste, në rastet kur ata kanë mospajtime me koleget e tyre gra. Secili person i angazhuar në politikëbërje duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të barazisë gjinore, ndërsa gjuha seksiste nuk zë vend në debatet publike./ KultPlus.com