12 Janar, 2023 - 5:15 pm
Muzeu i Luvrit në Paris ka kufizuar numrin e vizitorëve. Tashmë hyrja në këtë muze do të jetë më ekskluzive.
Nëse deri më tani muzeu i Luivrit ka qenë në listën tuaj të destinacioneve për t’u vizituar, sigurohuni mirë përpara se të shkoni, pasi mund të mbeteni jashtë.
Luvri i njohur i Parisit, muzeu më popullor në botë, po kufizon frekuentimin e tij të përditshëm në një përpjekje për t’u ofruar vizitorëve “një vizitë më të rehatshme dhe për të siguruar kushte optimale pune për stafin”, thuhet në njoftimin për shtyp të lëshuar javën që shkoi.
Muzeu që deri përpara pandemisë priste mesatarisht 45,000 vizitorë në ditë, prej muaj e ka ulur ndjeshëm fluksin e numrit të vizitave në afro 30, 000 dhe duket se këto ritme do të ruhen.
“Shifrat jashtëzakonisht pozitive për vitin 2022 janë jashtëzakonisht inkurajuese për të gjithë stafin tonë”, shprehet presidenti i Luvrit, Laurence des Cars.
“Shpresoj që vizitorët të shijojnë kalimin e kohës në Musée du Louvre, veçanërisht ata që zbulojnë muzeun për herë të parë, të cilët përfaqësojnë 60 përqind të tyre. Ne po punojmë gjithnjë e më shumë për të përmirësuar kushtet e vizitës dhe për të vazhduar të ofrojmë një program me cilësi të shkëlqyer dhe një grup unik performancash live që rezonojnë me atë që ndodh në muze.”
Ky vendim i heshtur i stafit drejues të Louvre ka hasur në kundërshtime nga artistë dhe kuratorë të cilët nuk mendojnë se kufizimi i vizitave në një muze si ai i Luvrit përmirëson përvojën e vizitorëve të cilët udhëtojnë nga anë e mbanë globit për të parë veprat e ekspozuara në këtë muze ikonik./Gazeta Tema/ KultPlus.com