Magazine: Turizmi, ari i Shqipërisë

19 Gusht, 2018 - 3:15 pm

“Toka e Shqiponjave” duket se ka zgjedhur rrugën e duhur për rimëkëmbjen e saj ekonomike: atë të një territori të ndodhur në një pamje të bukur të Mesdheut, në kufirin midis Jonit dhe Adriatikut, që më në fund ka arritur të përmirësojë gjendjen e saj detare dhe turistike pas dekadave të gjata të diktaturës komuniste.

Turizmi në Shqipëri është bërë tashmë një temë debati midis institucioneve politike dhe komerciale të “Tokës së Shqiponjave”.

Kështu e nis artikullin e botuar në përditshmen italiane “Magazine”, presidenti i Institutit të kërkimit të Ekonomisë dhe Politikës Ndërkombëtare, Domenico Letizia.

Fluksi i vazhdueshëm turistik që shikon Shqipërinë protagoniste absolute ka krijuar një rrjedhë të vazhdueshëm të kapitalit për investime të shumta në sektorët e mikpritjes dhe hotelerisë.

Flukset turistike, vazhdimisht në rritje në Shqipëri, kanë çuar gjithashtu në një rritje të kërkesës për ndërtimin e hoteleve në vend. Vetëm në vitin 2017 janë dhënë leje për ndërtimin e 53 hoteleve, në një sipërfaqe totale prej 89 mijë metra katrorë.

Kjo, 6 herë më e lartë se ajo e ndarë në objektet e akomodimit në vitin 2016. Vetëm në Tiranë po punohet për ndërtimin e një hoteli të madh me 5 yje, një investim prej rreth 30 milionë euro. Edhe “Hilton Garden Inn” gjithashtu po punon për një hotel të ri në kryeqytetin shqiptar. Shumica e lejeve të ndërtimit kanë të bëjnë me ndërtimin e strukturave hoteliere në bregdet. Qeveria shqiptare ka miratuar kohët e fundit lehtësira fiskale për ata që ndërtojnë hotele me 5 yje, duke i përjashtuar ato nga një sërë taksash.

Kryeministri Edi Rama në fillim të sezonit të verës theksoi se “masat e marra kohët e fundit nga qeveria në mbështetje të turizmit do të ndihmojnë zhvillimin në këtë drejtim të Shqipërisë”. Në mënyrë të veçantë, reformat e thella janë të lidhura me taksën e turizmit, e cila është reduktuar në 6% nga 20%. Pa harruar përjashtimin e pagesës së TVSH për hotele luksoze me 4 ose 5 yje. “Këto janë nisma konkrete, të cilat qeveria i sjell në mbështetje të zhvillimit të këtij sektori”, thotë Kryeministri shqiptar. Qëllimi i qeverisë është ta transformojë Shqipërinë në një destinacion kryesor turistik në Mesdhe.

Ndër projektet në zhvillim për promovimin e turizmit, Kryeministri ka nënvizuar ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës. “Tuneli është një domosdoshmëri strategjike për të përmirësuar dhe shkurtuar distancën me bregdetin jugor”, ka përsëritur Rama, “ndërsa aeroporti i Vlorës do të jetë një hyrje dhe dalje për Shqipërinë, duke lehtësuar udhëtarët dhe turistët që duan të ndalojnë në jug të vendit tonë “.

Për më tepër, katër muze të rinj janë ndërtuar vitet e fundit. Në Tiranë, bunkerët e famshëm të kohës komuniste janë shndërruar në muze të vërtetë, si “Shtëpia e Gjetheve”, ku diktatura komuniste ka kryer aktet më të neveritshme. Është një ndërtesë jo shumë larg sheshit qendror të Tiranës, Sheshit Skënderbej, ku midis viteve 1944 dhe 1990 mijëra shqiptarë u morën në pyetje dhe torturuan nga shërbimet sekrete të regjimit komunist. I fshehur plotësisht nga pemët të gjithë e njihnin, por askush nuk e dinte saktësisht se çfarë ndodhte brenda.

I braktisur pas rënies së regjimit, “Shtëpia e Gjetheve” u rindërtua nga arkitektja italiane Elisabetta Terragni dhe dokumentet e gjetura brenda saj u bënë publike, siç janë procesverbalet e gjykimit të famshëm politik dhe përgjimet telefonike të kryera me pajisje të sofistikuara elektronike. Nga këtu, ministritë, ambasadat dhe hotelet kryesore kontrolloheshin me lidhje direkte në çdo dhomë të vetme. Pas Tiranës, kryeqytetit, Durrësi është qyteti i dytë shqiptar në aspektin e historisë dhe numrit të banorëve. Këtu gjenden amfiteatri romak, një forum bizantin dhe muzeu arkeologjik.

Bashkia shpenzon 8 milionë euro në vit për të rikualifikuar ndërtesat dhe strukturat. Burime të mëdha janë të destinuara për modernizimin e rrjeteve elektrike dhe të kanalizimeve: pastruesi i Durrësit, një impiant i gjeneratës së fundit, u realizua nga një kompani nga Puglia.

Megjithatë, shumica e përpjekjeve janë të përqendruara në port. Ashtu siç thekson kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, “ai duhet të jetë i qytetarëve”, sepse nuk është më vetëm industrial, por një impiant i destinuar për publikun, që përfshin edhe kroçerat.
Flukset kryesore turistike në Shqipëri mbeten të përqendruara përgjatë më shumë se 450 kilometrave të bregdetit Adriatik dhe Jon, ku është në zhvillim e sipër oferta e shërbimeve për turizmin e verës, i cili këtë vit shënoi një rekord të ri të pranisë së të huajve në vend.

Duke ofruar kushte të mira dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit detar, edhe pse aktualisht infrastruktura është pak e zhvilluar.

Në periudhën janar-qershor të këtij viti, vizitorët që mbërritën në Shqipëri nga jashtë kanë tejkaluar pragun e 1 milion e 900 mijë njerëzve që kanë qëndruar në “Tokën e shqiponjave”, në shumë raste kthehen nga një vit në tjetrin ose gjatë periudhës së njëjtë gjashtëmujore. Hyrja në sezonin e verës ka rritur intensitetin e ardhjeve, të cilat në muajin qershor të këtij viti kanë prekur gjysmë milioni vizitorë, duke u rritur me 13.3% krahasuar me të njëjtin muaj të 2017 dhe kundrejt një mesatare prej + 9.1% në krahasim me tërë gjysmën e parë të vitit 2018.

Midis vizitorëve, në vend të parë janë qytetarët e Kosovës me 566.263 vizitorë në periudhën janar-qershor të këtij viti.
Bumi i vërtetë është ai që vjen nga vendi tjetër fqinj, Maqedonia, me 285,758 vizitorë në 6 muajt e parë: më shumë se 15,5% në gjashtë muaj dhe madje më shumë se 58,3% vetëm në qershor .

Në vendin e tretë, fqinji i jugut të Shqipërisë: Greqia. Nga gadishulli i Peloponezit, 221.144 turistë arritën në gjashtë muajt e parë, në rritje prej 10.5%. Ndërsa përsa i përket Italisë, renditja jonë duket e dyfishtë: e pesta pas Malit të Zi, duke iu referuar totalit të 6 muajve të parë të vitit; e katërta pas Greqisë, në lidhje me muajin qershor, në të cilin filloi sezoni turistik bregdetar dhe detar.

Nga janari deri në qershor, në Shqipëri erdhën 139,702 vizitorë italianë më shumë se 6.6%), nga të cilët 34,838 nga të cilët vetëm në muajin qershor më shumë se 5,6%).
Një gjë është e sigurt: institucionet shqiptare e shohin fenomenin turistik me interes ekstrem, si për potencialin ekonomik të turistëve, ashtu edhe për promovimin e investimeve të shumta në mikpritje dhe rikrijues.

Elementë thelbësore për ekonominë dhe rritjen infrastrukturore të vendit ballkani./ KultPlus.com

Të ngjajshme