Manastiri i 40 Shenjtorëve në Sarandë, një nga monumentet me arkitekturën më unike

14 Korrik, 2022 - 11:30 am

Rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve, ndodhen në një kodër dominuese në lindje të qytetit të Sarandës, 3.5 km nga qendra e qytetit.

Ky manastir, i konsideruar si një nga monumentet me arkitekturën më unike, është një ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma ndau në rrjetet sociale pamje nga ky manastir duke ftuar turistët ta vizitojnë atë gjatë qëndrimit të tyre në qytetin bregdetar të Sarandës.

Bazilika e tij shpesh është cilësuar si një ndër kishat më të bukura të antikitetit të tonë në Shqipëri dhe ka qenë qendër e rëndësishme pelegrinazhi kushtuar kultit të 40 Shenjtorëve.
Ambientet e brendshme të saj kanë një plan unik në formë shtatëkëndëshe (për shkak të shtatë apsidave), ku tre ndodhen në nefet anësore dhe një apsidë e dalë në nefin qendror.

Në të ruhen ambientet nëntokësore, si një vend i fshehtë i konceptuar në formën e kriptave. Nëpërmjet një korridori oval kalohet nëpër 9 kriptat, të realizuara me harqe të rëndë e të fuqishëm, muret e të cilëve kanë qenë me afreske.

Manastiri ka pasur dhe ambiente të tjera ndihmëse për pritjen e pelegrinëve dhe vazhdoi të përdorej deri në mesin e shek. XIX nga një komunitet i vogël murgjish. Muret e tij ishin në këmbë deri në vitet 1940, kur u rrëzuan nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.

Rrënojat ekzistuese, por edhe fotografi të viteve ‘30-të, tregojnë se Kisha kishte një strukturë madhështore, gati 40 m e gjatë dhe 24 m e gjerë./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme