31 Korrik, 2018 - 10:01 pm
Përfundimisht Manastiri i Deçanit triumfon ndaj komunës. Arrin ta ndalojë ndërtimin e rrugës që e lidh këtë komunë me Malin e Zi përmes zonës së mbrojtur rreth manastirit.
Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, pret që të arrihet mirëkuptim me përfaqësuesit e këtij institucioni fetar, në të kundërtën, do ta ndërtojnë rrugën nëpër një fshat tjetër, raporton KTV.
Pesë kilometrat e rrugës, e cila e lidh Deçanin me kufirin e Malit të Zi përmes zonës së mbrojtur të Manastirit, nuk do të asfaltohen.
Ditë më parë, i gjithë kori diplomatik dhe akterët e përfshirë shkuan në Deçan, për t’u njoftuar nga afër me gjendjen reale në terren dhe u dakorduan që në atë pjesë të ndërpriten punimet.
Ata njëzëri thanë se edhe pa pëlqimin e Komisionit për Monitorim dhe Mbikëqyrje të Zonave të Veçanta, nuk do të mund të ndërtohet asgjë në këtë zonë.
Kështu ministrit Lekaj dhe kryetarit të komunës iu bë e ditur nga ndërkombëtarët se duhet respektuar Ligji për Mbrojtjen e Zonave të Veçanta.
E pikërisht neni 5 i këtij ligji thotë se në zona të veçanta nuk mund të ndërtohen rrugë.
Sipas kryetarit të komunës, këtë gjendje e krijuan dhjetë vjet më parë deputetët e legjislaturës së vitit 2008, kur e miratuan këtë ligj.
Shoqëria Civile në këtë komunë këtë e sheh si lojë të dyfishtë të ndërkombëtarëve.
Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës zotohet se do ta respektojë ujdinë e arritur me ndërkombëtarët, duke besuar se në një të ardhme të afërt do ta asfaltojnë edhe atë pjesë.
“Të gjitha marrëveshjet që janë në frymën e ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës do t’i respektojmë me përpikëri dhe investimet do të bëhen gjithnjë në frymën e mirëkuptimit e të bashkëpunimit me të gjithë faktorët relevantë”.
Punimet për rrugën Deçan- Plavë nisën në muajin maj, derisa në pjesën rreth zonës së mbrojtur të manastirit u lejua të vendoset vetëm pllaka por jo edhe ndërtimi i rrugës.
Kjo për shkak se Manastiri nuk po lejon që të ndërtohet asfalt brenda zonës së mbrojtur.