Manastiri i Shën Spiridhonit në Vuno, monument kulture që duhet vizituar patjetër

25 Korrik, 2021 - 10:20 pm

Sezoni veror turistik sjell edhe më shumë vizitorë në sajtet e trashëgimisë kulturore dhe monumentet natyrore të vendit, mes të cilëve edhe në Kishën e Shën Spiridhonit në fshatin piktoresk të Vunoit, në Vlorë.

Në skajin jugor të fshatit Vuno, midis ullishtave shekullore ndodhet edhe manastiri i Shën Spiridhonit me kishën më të madhe të vetë këtij fshati. Në një mbishkrim thuhet se kjo kishë u rindërtua në vitin 1778 dhe madje u pikturua e gjitha në vitin 1784 me harxhet dhe shpenzimet e banorëve të vetë fshatit.

Kisha është e tipit bazilikatë e përbëhet nga hajati i mbështetur në arkada e kolonada, nga naosi i ndarë në tre nefe, altari dhe hapësida. E gjithë kisha ruan vlerat arkitekturore dhe është e pasur me piktura murale. Pas shkatërrimit që pësoi me djegien e gjithë çatisë në vitin 1998 dhe dëmtimet që pësojë në muajin maj të vitit 2014 u realizua restaurimi i plotë i kësaj kishe.

Restaurimi konsistoi në përforcimin e gjithë strukturës, në konservimin e pikturave murale dhe në mbulimin e çatisë. Ky restaurim do të sigurojë jetëgjatësinë e vlerave monumentale dhe artistike të kishës. Kjo kishë e mrekullueshme që nuk duhet humbur pa u vizituar është një monument kulture i kategorisë së parë. / ATSH / KultPlus.com

Të ngjajshme