3 Prill, 2023 - 5:26 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se, pas suksesit që në thirrjen e parë, këtë vit Bonusi i Rijetësimit ka tërhequr edhe më shumë besimin e shqiptarëve.
Ministrja informoi se, “nga rreth 100 aplikime një vit më parë, këtë edicion janë regjistruar 173 aplikime dhe gjeografia e tyre është zgjeruar në të gjithë Shqipërinë”.
Teksa publikoi në rrjetet sociale dhe shpërndarjen e përfituesve në vende të ndryshme të vendit, Margariti tha se, “shumë shpejt do të dalë edhe lista fituese e këtij viti”.
Margariti theksoi se, “falë kësaj skeme mbështetëse, të gjithë ata që kanë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike, lagje kala etj., kanë mundësi t’i restaurojnë dhe rijetësojnë ato”.
Mbështetja financiare varion deri në 1 milion lekë për mirëmbajtje dhe konsolidim dhe deri në 6 milionë lekë për restaurim dhe rijetësim.
Përpos ruajtjes dhe evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të objektit apo kompleksit ku ai bën pjesë, edhe këtë vit do të përkrahen ato projekte me ndikim në zhvillimin ekonomiko-social të komunitetit të zonës; do të përkrahen të rinjtë, gratë e vajzat, individët me aftësi ndryshe dhe emigrantët që zgjedhin të investojnë në vendin e tyre./atsh/KultPlus.com