Margariti: Rreth 1 milion shqiptarë e të huaj vizituan muzetë, parqet dhe monumentet

8 Dhjetor, 2023 - 5:00 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se “rreth 1 milion shqiptarë e të huaj kanë vizituar përgjatë këtij viti muzetë, parqet dhe monumentet tona”.

Në fjalën e saj në panelin “Prioritetet zhvillimore: Infrastruktura, Energjia, Financat, Turizmi, Bujqësia dhe Kultura” në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Margariti tha se “kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Rilindja Urbante nuk do të kishte prekur qendrat historike në qytetet tona, në Korçë, Krujë, Vlorë, duke çuar te qytetari më shumë shërbime, punësim, turizëm, zhvillim ekonomik”.

“Nuk do të kishte ndodhur pa rikthimin e besimit te banorët, që bënë bashkë kursimet e tyre me bonuset e Ministrisë së Kulturës, për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”, tha Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “kushdo e kujton trishtimin gri të kalldrëmeve të Gjirokastrës. Një kontrast i thellë me Gjirokastrën e Festivalit Folklorik, kartolina më e bukur e shpirtit shqiptar. Një investim në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, që edhe UNESCO na e ka njohur, duke pranuar brenda 1 viti Xhubletën dhe transumancën në Listën e Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit”./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme