19 Nëntor, 2023 - 6:00 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka bërë të ditur se është shpëtuar një tjetër thesar i ikonografisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Margariti shprehet se pas një pune disamujore restauruese në Laboratorin e Konservimit e Restaurimit në Muzeun Ikonografik “Onufri” ka dalë në dritë me gjithë madhështinë e saj ikona “Krishti i Gjithëpushtetshëm” (Pantokrator) vepër e shek. XVI – XVII, atribuar ateliesë së Onufrit.
Ministrja shton se ikona paraqiste një sërë problematikash, që e bënin të palexueshme, si dëmtim të shtresave përgatitore dhe pelikulës piktorike në gjithë sipërfaqen, papastërti të qëndrueshme dhe mbivendosje që tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e veprës.
Margariti thekson se së shpejti ajo do të ekspozohet për publikun. / KultPlus.com