14 Korrik, 2019 - 10:10 am
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, u shpreh të shtunën gjatë një takimi me banorë të Linit se, kishte ardhur në fshatin Lin një vit më parë kur mori detyrën si koordinatore e programit “100 Fshatrat”, program i cili, siç tha ajo, e befasoi më shumë ndërthurja e trashëgimisë kulturore, natyrës dhe resurseve agroturistike.
“Që atëherë kemi diskutuar shumë për këto mbështetje të ndërthurura dhe sot që vij pas disa kohësh, shoh që jo vetëm kjo bujtinë, por edhe të tjera investime, kanë marrë formë dhe i përgjigjen misionit për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit”, – tha ajo.
Margariti tregoi historinë e takimit me një gurgdhendës, i cili po ndërton një hotel që pritet të hapet këto ditë. Ai më tha, citoi ajo, “që mund ta ndërtoja shumë më shpejt hotelin me tulla e beton, por besoj që kjo shtëpi ka nevojë për këto gurë”.
Ka ardhur koha që investimet kanë nevojë për këto mjeshtra, theksoi Margariti. Ndaj, vijoi ajo, lajmi i mirë është që edhe liqeni i Ohrit, pjesa shqiptare, iu bashkua UNESCO-s dhe kjo nuk është vetëm një vlerësim, por edhe përgjegjësi për t’u menaxhur kjo pasuri botërore.
“Ju jeni pjesë e ruajtjes së trashëgiminë kulture”, tha ajo.