23 Gusht, 2020 - 3:39 pm
Marigo Pozio, mbiemrin e vajzërisë e kishte Poçi, lindi në Korçë, me 2 shkurt të vitit 1882. Marigoja shkruante dhe botonte në shtypin e kohës mjaft poezi, si psh poezi kushtuar Avni Rrustemit: “Ti vrapove porsi plumbi/ Ti u bëre erë e hije/ Shkele, shkove dhe e shove/ Shqipërinë e shpëtove…”, shkruan KultPlus.
Marigoja, vajza që tashmë ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e gjithë shqiptrëve, vuante nga turbekulozi, sëmundje e pashërueshme për kohën. Po ashtu ajo humbi edhe shikimin gjatë viteve të fundit të jetës.Familja vuajti nga një sërë fatkeqësish, së pari me fëmijët e tyre, dhe më vonë me shëndetin e Marigosë për shkak të tuberkulozit.
Sipas Zhaneta Poçit , mbesë e Marigo Pozios, Marigoja e qendisi flamurin kombëtar sipas një modeli të Dom Mark Vasës, për pajën e saj, qëkurse ishte çupë. Këtë flamur ajo ja dha Ismail Qemalit.
Marigoja e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 – 40 cm, me shkabë në mes dhe anash me shkrimin: “Rroftë Shqipëria”.
Në vargun e madh të rilindësve shqiptarë një vend të rëndësishëm ndër ata që ju kushtua çështjes së atdheut në ato çaste që po kalonte vendi ka qenë dhe patriotja me zemër të madhe nëna e kombit siç e quanin bashkëkohësit Marigo Pozion. Marigoja.
Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe që nëpërmjet këtij shkrimi nuk mund të shpaloset me kompleksitetin e vet gjithë madhështia e kësaj figure, sublimiteti i jetës dhe veprës së saj për identitetin kombëtar dhe shoqëror për vlerat dhe karakterin e gruas shqiptare dhe emancipimin e saj në të gjithë Shqipërinë.
Në të gjithë veprimtarinë e saj spikati akti sinjifikativ i qëndisjes së flamurit që u valëvit në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe si i tillë mbeti simbol duke u dekoruar me dekoratën më të lartë Flamuri i Kombit (Dekreti 3292 i datës 15. 04. 2002).
Marigoja filloi një veprimtari të gjerë politike atdhetare dhe emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetarizmi ku zhvilloheshin biseda, qaheshin halle dhe hartoheshin thirrje e dërgoheshin letra për ta bërë Shqipërinë të lirë të pavarur dhe të përparuar. Dokumentet flasin se në shtëpinë e çiftit Pozio shumë veteranë të çështjes kombëtare si Murat Toptani, Dervish Hima Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Mihal Grameno etj.
Pas shpalljes të pavarësisë, ajo lufton për krijimin e shoqërive patriotike dhe mirëbërëse dhe ia arrin qëllimit në muajin mars të vitit 1914 duke themeluar shoqërinë Shpresa Kombëtare, në të cilën ajo, siç shkruan gazeta “Populli”, se më e ditura grua e qytetit zgjidhet sekretare.
Lufta e Parë Botrore paralizoi veprimtarinë e shoqatës Shpresa Kombëtare dhe, për këtë arsye, më 23 janar të vitit 1921, rifilloi aktivitetin e kësaj shoqate duke pasur në krye Marigo Pozion, e cila kreu detyrën e drejtoreshës të përgjithshme të gazetës Shpresa e Kombit, gazeta e parë e gruas shqiptare, e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, dhe ku qëllimi kryesor ishte të grumbullonte rreth vetes të gjitha gratë dhe vajzat të cilat me bindje e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike shkollimin dhe lartësimin e femrës shqiptare.
Në motivacionin e dekorimit të parë më 7 Mars 1960 pohohet pikërisht fakti se ka punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës dhe për çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare, duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare. Dekorata është me urdhrin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e muzeut të pavarësisë në Vlorë.
Kjo grua e vyer e zhvilloi aktivitetin e saj patriotik e kombëtar si një nga anëtaret e Klubit politiko –patriotik dhe kulturor Labëria si dhe përkrahëse aktive e luftës së Vlorës të vitit 1920.
Fryma e lartë atdhetare e kishte pushtuar të gjithë familjen e saj e cila shërbente si shembull për çështjen kombëtare. Ajo gëzonte jo vetëm respektin e përkrahjen për burrin e saj Jovan, por edhe të fëmijëve të saj, të cilët dalloheshin për veprimtari shoqërore dhe atdhetare.
Sëmundja e pashërueshme tuberkulozit ia merr të tre fëmijët dhe vetë ajo sëmuret po nga e njëjta sëmundje dhe me gjithë mjekimet dhe me gjithë dhimbjet që provonte në trup gjeti forca për të biseduar me aktorin e madh Aleksandër Moisiu për të kujtuar Shqipërinë e shqiptarët.
Në gusht të vitit 1932 mbylli sytë shqiptarja e shquar Marigo Pozio. Atë do ta varroste me nderim populli fisnik i Vlorës që kurrë nuk e ka harruar por i ka dhënë vendin që i takonte si përfaqësuesja më e denjë e femrës shqiptare.
Shtëpia e rikonstruruar ku ka banuar Marigoja falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj Violeta Posio me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë u kthye në një shtëpi muze dhe mirëpriti e mirëpret vizitorë shqiptarë nga e gjithë bota. / KultPlus.com