Mark Krasniqi e Pajazit Nushi në pullën postare të Kosovës

13 Dhjetor, 2017 - 1:58 pm

Posta e Kosovës në kuadër të tematikës “Personalitete të shquara” sot ka emetuar dy pulla postare me imazhet e akademikëve, Mark Krasniqi dhe Pajazit Nushi.

Mark Krasniqi u lind në fshatin Gllaviçicë (Shën Gjon) afër Pejës më 19 tetor 1920. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollimin e mesëm në Prizren, ndërkaq studimet për letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), si dhe për gjeografi e etnografi në Universitetin e Beogradit. Karrierën e filloi si gazetar dhe pastaj redaktor i gazetës “Rilindja”.

Ka qenë prodekan dhe dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (që nga viti 1993). Ka botuar libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbo-kroatishtja, sllovenishtja e maqedonishtja në gjuhën shqipe. Vdiq në Prishtinë, në vitin 2015.

Pajazit Nushi u lind më 8 janar të vitit 1933 në Gjakovë. Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe shkollën normale, ndërkaq studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Katedra e Psikologjisë Eksperimentale të Universitetit të Beogradit. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Aktiviteti profesional dhe shkencor i Pajazit Nushit shtrihej në fushat studimore të psikologjisë së përgjithshme, terminologjisë së psikologjisë, psikologjisë pedagogjike, etnopsikologjisë dhe metodologjisë hulumtuese të psikolo¬gjisë. Ka botuar trajtesa të veçanta shkencore dhe artikuj nga fusha e psikologjisë sociale, e sociologjisë, leksikologjisë shqipe, të psikologjisë së religjionit. Ai vdiq në Prishtinë, në vitin 2015./ KultPlus.com

Të ngjajshme