9 Janar, 2024 - 10:47 am
Prej pesë vitesh, studiues dhe ekspertë kanë përgatitur një dosje për të kërkuar që muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” të jetë pjesë e trashëgimisë në UNESCO. Dosja është finalizuar dhe më tepër detaje ka ndarë në emisionin “Pas Mesnate”, drejtori i Muzeut Fotografik “Marubi”, Luçian Bedeni.
Gjatë intervistës për ABC News, ai ka zbuluar se kanë aplikuar me dy baballarët e dinastisë, Pietro dhe Kel Marubi.
Sakaq, Bedeni ka thënë se është shpresëplotë se Marubi do të jetë pasuri kombëtare
“Çdo proces, çdo trashëgimi për në UNESCO, është një proces ku përfshihen shumë njerëz, shumë ekspertë, shumë propozues. Ne kemi pasur një synim që në vitin 2015, pastaj kishim një tjetër tentativë në vitin 2020, ku madje bëmë dhe një plotësim pothuajse të plotë të të gjithë formularit aplikues. Edhe vitin e kaluar ne ju rikthyem atij procesi dhe erdhëm deri në momentin e një dorëzimi zyrtar. Mendoj që është më shumë se është si një lloj prestigji, i cili nuk mbetet vetëm si një prestigj, por në aspektin e ruajtjes, përkujdesjes. Si është aplikuar? Kemi shkuar me Pietron dhe Kelin, si dy gurët e themelit të dinastisë. Meqënëse, ata janë dhe tashmë dhe dy figura publike. Pra, i kanë kaluar 70 vite pas vdekjes. Kështu që duke shkuar me këtë, ne në mendimin tim, ne kemi garantuar një vendosje shumë të rëndësishme të këtij guri kilometrik të trashëgimisë kulturore, i cili hap kështu dhe një shteg për atë çfarë do të vijë në të ardhmen”, u shpreh ai./abcnews.al / KultPlus.com