7 Gusht, 2017 - 6:59 pm
Sarandë Selimi
Përgjatë nëntë ditëve sa zgjatë Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest, në shtatë nga këto ditë, pjesë e këtij festivali është edhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë ‘Marubi’, shkruan KultPlus.
‘Marubi’, erdhi në Prizren më datë 5 gusht, ku gjithçka nisi me street art, projekt ky i nisur në Shkodër, atje edhe ku është ky muze. Në Prizren erdhi në kuadër të programit të fotografisë DokuPhoto, duke prezantuar tre breza fotografësh përmes koleksionit të tij të gjerë prej 500.000 negativëve, që dokumentojnë ngjarjet nga historia e trazuar e Shqipërisë.
‘Marubi i Shkodrës’, jo rastësisht njihet kështu në publik, pasi që edhe sot në ligjëratën e mbajtur nga drejtori i këtij muzeu Lucjan Bedeni, krejt ajo që ai e tha mbajti titullin ‘A Museum Can Change a City’. Kështu ‘Marubi’ në njëfarë forme e ‘ka ndryshuar qytetin e bukur të Shkodrës’, e krejt kjo duke i dhënë edhe më shumë madhështi qytetit që bartë mbi supe një histori të madhe siç është ajo e Kalasë së Rozafës e jo vetëm.
Lucjan Bedeni, solli një dialog mes trashëgimisë kulturore të së shkuarës dhe Muzeut të ri të Fotografisë ‘Marubi’, duke prezantuar edhe projektet më të reja të këtij muzeu përmes programeve të ndryshme të cilat nga njëra anë sjellin më afër historinë e të parës studio fotografie shqiptare, e nga ana tjetër kërkojnë të sensibilizojnë më të rinjtë ndaj rëndësisë të ruajtjes së vlerave të kësaj trashëgimie.
“‘A Museum can change the city’, vjen si një premtim i Muzeut Marubi, duke sjellë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë që nga fillimi e deri më tani. Fotografia që unë zgjodha që ta fillojë këtë prezantim të shkurtër është momenti i inaugurimit të muzeut më datën 9 maj të viti 2016, por ajo çka do të shohim është një strategji me të cilën zhvillohen programet dhe idetë inovative. Të gjithë e dimë se uji është jeta dhe nga ajo pikë e ujit nis ky moment strategjie. Kështu që rreth programit Marubi, do të zhvillohen disa programe të ndryshme siç është programi i ekspozitave, çmimi Marubi, që tash muzeu ynë ka rënë dakord me Galerinë e Arteve që ta zbatoj vitin e ardhshëm i cili do të jetë një kompeticion për artistët bashkëkohor, e shumëçka tjetër”, nisi kështu drejtori i Marubit Bedeni, duke vazhduar ligjëratën e tij me fotografi nga ekspozitat e ndryshme që ka pas ky muze që nga hapja e duke dalë atje se çfarë do të bëjnë në një të ardhme shumë të afërt.
“Kalendari vjetorë i ekspozitave prezanton katër ekspozita të përkohshme, dy ekspozita të përmasave të mëdha dhe dy ekspozita të tjera që muzeu ynë i bënë në bashkëpunim me muzetë e tjerë”, pohoi Bedeni, duke vazhduar të flasë për arkivin e Marubit, i cili është një pasuri e virgjër me vetëm 9% të digjitalizuar, dhe kësisoj kërkon ruajtje të madhe të këtyre artefakteve.
Ai teksa foli për procesin e digjitalizimit, poashtu tregoi edhe për website-in, që ‘Marubi’, posedon dhe është i hapur online për publikun. Pas kësaj Lucjan Bedeni, u rikthye te ekspozitat e këtij muzeu, duke bërë një panoramë të shkurtër të atyre që janë hapur në ‘Marubi’.
“Po nisim me ‘Dy rrugët e Idromenos’ që i përkasin Kolë Idromeno e që është kuruar nga Adrian Paci. Për secilën ekspozitë ne realizojmë punëtori të ndryshme me grupmosha të fëmijëve dhe për të gjitha këto, muzeu ka nënshkruar kontratë me drejtorinë arsimore të Shkodrës, dhe disa institucione tjera. Muzeu krahas ekspozitave apo programit edukativ mbanë edhe një program tjetër siç është programi i bisedave, pra për secilën ekspozitë është kuratori ai që një ditë pas hapjes së saj mbanë një diskutim me audiencën”, theksoi Bedeni.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë ‘Marubi’, ka qenë i selektuar për çmimin evropian “European Museum of the Year Award” ku Marubi është përzgjedhur një ndër 46 muzetë më të mirë të Evropës. Prezantimi është mbajtur në Zagreb më 6 maj.
Lucjan Bedeni, pas shumë e shumë prezantimeve që bëri për ‘Marubin’, pak u kthye edhe tek programi i DokuFest-it, duke e vlerësuar lartë, e më pastaj, foli edhe për ekspozitën e fundit ‘Manipulim’ që është hapur më 3 maj.
“Folëm për këto fotografi, por janë edhe disa fotografi tjera që inspirimin kryesorë e kanë marrë nga disa imazhe të tjera të panjohura. Ato janë manipulimet më të vjetra të historisë botërore të fotografisë. Manipulimi nuk është vetëm propaganda politike por edhe manipulim si lloj satire, humori dhe deri këto manipulimet që shohim tani me fantazmat”, tregoi ai.
Ndërkohë krejt si përfundim, ai para audiencës së DokuFest, dha disa lajme shumë interesante për këtë muze, duke paralajmëruar edhe ekspozitën e artistes Lala Meredith Vula që do të hapet më 12 tetor.
“Do të doja të ju informoja që vitin që vjen ne do shpallim thirrjet për ‘Çmimin Marubi’, dedikuar artistëve të rinj kryesisht artistëve nga Evropa Juglindore. Gjithashtu për herën e parë në Shqipëri dhe ndoshta në rajon, në muzeun tonë në vitin që vjen pritet të fillojë edhe ndërtimi konkret i laboratorit të restaurimit të xhamave , dhe kjo në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë në Francë. Pas pak ditësh po ashtu ne do të lansojmë edhe një tjetër program me shumë rëndësi në muzeun tonë. Është rrjeti kulturor i muzeut Marubi, që konsistojnë në rrjetëzimin e studios së vjetër të Marubëve, një hapësirë ku deri tani është dhënë me qera një dyqani që shiste çanta kineze”, tha Lucjan Bedeni, duke vazhduar ta jap lajmin e fundit për këtë muze, i cili do të nis projektin për ta përfshirë ‘Marubin’ në UNESCO.
“Një tjetër informatë e rëndësishme për muzeun tonë që do të fillojë në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm, do të jetë fillimi i projektit dhe punës për ta përfshirë Marubin në UNESCO dhe duke ju referuar kritereve besoj se do të jetë e kalueshme”, përfundoi Lucjan Bedeni. / KultPlus.com