2 Prill, 2019 - 6:30 pm
Më 2 prill 1991, ndodhi një ngjarje që tronditi Shkodrën. Sot përkujtohet ajo që njihet ndryshe masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri.
Këto pamje janë nga data 2 prill 1991, të protestës masive në Shkodër, që çoi në ekzekutimin e 4 personave të pafajshëm.
Ato janë fiksuar nga fotografi Angjelin Nënshati, i cili nuk jeton më, por djemtë e tij, pasardhës në këtë profesion, i përcjellin për publikun.
Gjatë protestës para Komitetit të PPSH-së në Shkodër
Ditën e sotme, këto fotografi të rralla do të jenë të ekspozuara në ambientet e Këshillit të Qarkut në Shkodër. Ky 2 prill shënon 25-vjetorin nga ngjarja që shënoi një ndër revoltat më të mëdha popullore në vend. Pikërisht pas zgjedhjeve të marsit, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj para, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë.
Katër viktima e dhjetëra të plagosur ishin pasojat e plumbave ndaj forcave policore drejt turmës që protestonte. Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka ishin të vrarët e asaj dite, sot të shpallur martirë të demokracisë.
Në këto fotografi tregohen qartë e me detaje se çfarë ndodhi më 2 prill, në qytetin e Shkodrës. Protestuesit mësynë godinën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe që andej hidhnin dokumentet nga dritaret në oborr.
Disave prej tyre iu vu flaka, ndërsa të tjera u grisën e u shkelën me këmbë. Më pas dallohen turmat në sheshin kryesor, që sot mban emrin “2 Prilli”, aty ku mbetën të vrarë edhe 4 dëshmorët e demokracisë.
Makina të djegura, tym i zi që shpërthente nga disa anë të qendrës së Shkodrës e protestues të panumërt të mbledhur në shesh dhe që ngrinin dy gishtat lart.
Pas kaq vitesh, këto fotografi dalin në dritë si pjesë e historisë së viteve të para të demokracisë.
Katër viktimat e masakrës së 2 prillit, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku
Fotot e reja:
Senad Nikshiqi