15 Prill, 2022 - 11:10 am
Tomas Tranströmer ose Tomas Gösta Tranströmer (shqipërimi: Tomas Transtromer) (15 prill 1931 Stockholm Suedi – 26 mars 2015 Stockholm, Suedi), poet suedez.
U lind në Stockholm më 1931. U rrit nga e ëma mësuese, e divorcuar nga i shoqi gazetar. Në Stockholm studioi psikologji dhe poezi. Nisi të shkruajë në kohën e studimeve në Sodra Latin School. Librin e parë “17 Dikter” (“17 poema”) e botoi më 1954 dhe shumë shpejt bëhet një nga poetët më të njohur dhe më të përkthyer në botë, në rreth 30 gjuhë. Përveç të shkruarit, pasioni i tij i madh është psikologjia, profesion të cilin e ushtroi në vitet 1960-1966 në Roxtuna, në një burg të rinjsh. Dy vëllime të rëndësishme janë Klanger och spår (1966, Dritare dhe gurë) libër i lindur nga udhëtimet e tij të shumta, dhe Baltics 1974. Përmbledhja Den stora gåtan (2004, Enigma e madhe) është një kurorëzim i krijimtarisë së tij në vite, sado që pas 1993 Tranströmer nuk arrin të shkruajë dot më. Boton pas kësaj kohe Për të gjallin dhe të vdekurin, Gjysmëparajsa. Fitues i shumë çmimeve Neustadt International Prize, Oevralids Prize, Petrarca-Preis në Gjermani, Swedish Award nga International Poetry Forum, madje edhe i Kurorës së Artë në Mbrëmjet Poetike të Strugës.
“Perandoria e barit” është i vetmi libër i përkthyer në shqip, nga poetja Natasha Lako, botuar nga “Aleph” më 2002. Lako e shikon poezinë e Tranströmer-it të shkëputur nga ideologjizmat. “Unë trashëgoja një pyll të zi, ku shkoja rrallë. Por nga kjo/erdhi një ditë kur këmbyen vendet të gjallët me të vdekurit/Atëherë solla pyllin ndërmend. Nuk ishim pa shpresë/… unë kisha trashëguar një pyll të zi, por ecja në një pyll të shndritshëm…” shkruan në poezinë “Madrigal”.
Në vitet ’60, kur ishte e modës edhe për poezinë e poetët të kishte një kahje politike në rrymat e kohës, Tomas Tranströmer-i zgjodhi gjuhën e poezisë dhe kritika e quan poeti që ka ditur të ruajë ekuilibrat në periudhën e Luftës së Ftohtë.
Në botën anglishtfolëse njohja e veprës së tij i dedikohet miqësisë me poetin amerikan Robert Bly, i cili prej viteve pesëdhjetë i ka përkthyer shumicën e veprës në gjuhën angleze. Më 2001, Bonniers, shtëpia botuese suedeze e Tranströmer-it botoi korrespondencën e dy shkrimtarëve në librin “Air Mail”.
Fitoi çmimin Nobel për letërsi në vitin 2011. Poeti do të marrë 1.08 milion euro shpërblim. Ceremonia e pranimit të Çmimit bëhet në Stokholm më 10 dhjetor, data e përvjetorit të vdekjes (1896) së industrialistit suedez Alfred Nobel, themelues i çmimit. Tranströmer është i nënti shkrimtar suedez që merr Nobelin për Letërsinë. Para tij janë: Selma Lagerlöf 1909, Verner von Heidenstam 1916, Erik Axel Karlfeldt 1931, Pär Lagerkvist 1951, Nelly Sachs 1966 (i ndarë), Eyvind Johnson dhe Harry Martinson më 1974.
Vdiq në Stockholm, në moshën 83 vjeçare. /KultPlus.com