Me 2 dhjetor, në Prishtinë bëhet lansimi i ‘Arkivi Rilindja’

24 Nëntor, 2019 - 7:21 pm

Të hënën e 2 dhjetorit në Kino Armata në Prishtinë prej orës 19:00 do të lansohet “Arkivi Rilindja”, realizuar nga Ervina Halili dhe do të ketë diskutim të hapur rreth arkivistikës, çështjes së të drejtave të njeriut në të gjitha përmasat e saj, veçanërisht në raport me harresën kulturore.

“Arkivi Rilindja” nuk është arkivi zyrtar i Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja. Arkivi i kësaj ndërmarrjeje me gjithë hallkat e veta dikur funksionale, nuk është trashëguar në ditët tona. Ky material është mbledhur me shumë kujdes mes hirit e pluhurit të gjithçkaje që deri më tani është konsideruar e papërdorshme, e humbur prej “Rilindjes”, por që është prodhuar nga vetë ajo, nga gazetarët që ka prodhuar, shkrimtarët që ka botuar, redaktorët dhe fotografët.

Në kuadër të lansimit të “Arkivi Rilindja” përveç shfaqjes së dokumentarit ‘N’Rilindje’, do të diskutohet edhe për:
• Ndërmarrjen Shoqërore Rilindja, funksionimin e atëhershëm të saj, arkivin i dikurshëm që posedonte, bibliotekën dhe politikat botuese;
• Historinë e mbylljes së Rilindjes, humbjen e materialeve dhe dokumentimit të një periudhe historike që mbulonte shtypi në Kosovë;
• Arkivistika dhe muzeologjia në raport me të drejtat e njeriut, me fokus të veçantë në kontekstin e pasluftës në Kosovë, dhe përballjes aktuale me një zbrazëti sa i përket trajtimit, mbledhjes dhe ruajtjes së prodhimeve kulturorore të së kaluarës.

AGJENDA:

19:00 – Shfaqja e dokumentarit ‘N’Rilindje’

Nazmi Rrahmani/shkrimtar, drejtor i redaksisë së botimeve në Rilindje (1941) dhe Musa Ramadani/shkrimtar, redaktor i kulturës në Rilindje (1943) kalojnë nëpër kujtimet e tyre në Rilindje dhe nëpër veprat e tyre letrare të cilat i kanë krijuar dhe botuar gjatë asaj perudhe.

19:30 – Lansimi i platformës dixhitale ‘Arkivi Rilindja’ dhe hapja e diskutimit me panelin e ftuar.

Paneli:
z. Sokol Çunga – Specialist arkivist nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë
znj. Ervina Halili – Shkrimtare dhe hulumtuese
z. Nazmi Rrahmani – Shkrimtar, botues, ish-drejtor i redaksisë së botimeve në Rilindje.
znj. Sibel Halimi – Sociologe, aktiviste për barazi gjinore (drejtuese e panelit)

Ky projekt u realizua në kuadër të platformës të #HeritageSpace qe implementohet nga CHwB Kosova. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” i zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë dhe fiancuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet (IcSP) dhe Qeverise Suedeze.

Të ngjajshme