7 Shkurt, 2019 - 12:30 pm
Historia rrëqethëse e Qerime Bomes, e burgosur nga regjimi komunist ditën që lindi vajzën. Me gjak e gjinjtë që i kullonin qumësht, e mbajtën në qeli për ta dënuar me 15 vjet heqje lirie, vetëm se ishte e bija e Ramo Bomes, aktivist i Ballit Kombëtar, i arratisur në SHBA me Mid’hat Frashërin.
Të gjithë kemi historitë tona të vogla që nënat na i kanë treguar për ditën e lindjes, por Çiljeta Bome, mund ta quajë pa frikë ditën e saj të lindjes, si ditën më ogurzezë për nënën e saj, Qerime Bome. Ishte viti 1972 në Shqipërinë komuniste. Pikërisht atë ditë kur duhej të gëzohej, për sjelljen në jetë të vajzës së saj, Qerimja u mor përdhunshëm nga shtrati i spitalit nga sigurimi i shtetit dhe u dërgua në qeli, duke mos i dhënë mundësinë të ushqente me gji foshnjën e saj. Edhe pse lehonë, regjimi komunist nuk e kurseu, por e torturoi në mënyrën më çnjerëzore dhe e dënoi pa bërë asnjë krim.
Çiljeta nuk e ndjeu dashurinë e nënës në vitet e para të jetës së saj, por e ka ndjerë dhimbjen e saj deri në palcë. Ajo do që ta ndajë këtë histori me të tjerët, si një kujtesë për vuajtjet e nënës së saj e nënave e vajzave të tjera, në atë regjim të egër.
Dëshminë e saj, duke iu referuar tregimeve të nënës, ajo e publikoi për kujto.al, arkivën online të krimeve të komunizmit, dhe vjen i plotë më poshtë:
“Historia e nënës time është nga më tragjiket e kohës së regjimit diktatorial. Të gjithë të persekutuarit meritojnë respekt për vuajtjet e tyre, por kjo e nënës time është më tepër se e dhimbshme.
Nëna ime, Qerime Bome rrjedh nga një familje e ndershme, atdhetare kolonjare! Babai i Qerimes (Ramadan Bome) ishte një tregtar kolonjar, atdhetar, nacionalist, por regjimi komunist pas 1944, i bën gjyqin në mungesë dhe e dënon me vdekje si armik, tradhtarë. Gjyshi shkon në Amerikë dhe aty ka qenë gjithmonë i aktivizuar tek Vatra, sepse ishte mik dhe shok besnik i Mid’hat Frashërit.
Këto m’i ka treguar gjyshja ime Selvi Bome, që më ka rritur. Aty fillon kalvari i vuajtjeve të familjes Bome. Gjyshja me shtatë vajzat që mbetën pas, u internuan dhe iu konfiskua e gjithë pasuria. Familja kryen dënimin në internim me tela në 1945-1950 dhe kur mbaron internimin, me ndihmën e disa kolonjarëve të njohur, familja vendoset në një lagje në Tiranë, me qera. Vajzat martohen dhe mami im, si më e vogla, qëndron me gjyshen. Mami im njihet me babin tim, i cili kishte ardhur nga Gostivari, ishte student muzike. Mami ka mbaruar degën për pikturë dhe arti i ka bashkuar të dy. Këtu fillon lufta akoma më e ashpër. Mami martohet me babain, Daut Mustafai, por pa celebrim, sepse babai ishte nënshtetas i huaj.
Pas martese i japin një hyrje në Lushnje, sepse u hap një artistike atje dhe mamin tim e vendosën të bëhej shefe e prodhimit, të mësonte punëtoret. Në 1972, erdhi koha që do lindja unë, mamaja ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe kishte ardhur tek gjyshja në Tiranë, që të lindte. Kur po priste që të vinte babai ta merrte e ta çonte në maternitet, mëson se atë e kishte arrestuar sigurimi disa ditë më parë në tren, duke ardhur për Tiranë. Kishin arrestuar Dautin si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, nipin Robert Burimi, tezen Afërdita Hajrullai (Bome), ca kushërinj e farefis që nuk dua t’i lëndoj duke i përmendur.
Në fund, kur Qerimeja (mamaja) paraqitet në maternitet të lindë, vjen sigurimi i shtetit dhe i thotë: Kemi një pyetje për ty, dhe e marrin mamin në hetuesi. Aty asaj i fillojnë krizat e lindjes, pak presion, frika, dhe pas shumë ore krize, vendosin ta çojnë në maternitet për të lindur. Por sigurimi e priste jashtë dyerve të spitalit. Pas një lindjeje të vështirë, mamin e marrin ashtu me gjak nëpër këmbë dhe me gjinj të fryrë nga qumështi dhe e fusin përsëri në qeli, në hetuesi. Siç më tregonte ajo, vetëm në një qeli 1 metër katrorë të errët, ku kishte vetëm një dritare të vogël shumë lart.
Aty në qeli, vinte doktori dhe i lidhte gjoksin mamit për t’i hequr qumështin nga gjiri. Mamaja më ka thënë që muret e qelisë ishin lyer me qumështin e saj… një tmerr i paimagjinuar për një grua lehonë. Aty vinte hetuesja Dolorez Velaj dhe hetuesi Helam Gjika dhe e akuzonin; Ti je armike, ke dashur të përmbysësh pushtetin popullor, kemi fakte për këto. Kjo Dolorezi ia ka tërhequr flokët nënës nëpër qeli, duke i thënë fjalë fyese. Helami, hetuesi e provokonte duke i thënë: kemi burrin tuaj këtu, nipin, motrën dhe ata pohojnë se ti je shkaktare e burgut të tyre. Çfarë nuk i kanë ngarkuar përsipër në hetuesi. Në ballafaqim me Dautin (babin), i cili qe mbuluar në gjak, ai i pëshpërit mamit në vesh: “Më fal Qerime në kam thënë diçka, shpirti ma di, siç më shikon, çfarë kam hequr”. I nxjerri, nipin, Robertin, asokohe fëmijë rreth 18 vjeç, që mezi rrinte në këmbë, pastaj i nxjerrin dhe motrën Afërditën.
Mami u shkatërrua psikologjikisht kur i pa njerëzit e vet e bërtiti; “Lironi Afërditën se është me diabet, ma kaloni mua dënimin e saj”. Aty Qerimeja mori veten dhe tha: “Ju jeni kriminela, nuk kam bërë politikë deri tani, po tani po më mbushet mendja që ju jeni kafshë, vrasës, kriminelë. Poshtë ju të gjithë dhe do e firmos aktakuzën, se ju urrej deri në vdekje.” I japin një laps e letër të firmosë dhe ajo thyen majën e lapsit me forcë (ata e kuptuan mesazhin e thyerjes se lapsit). E pyetën se si do e quante foshnjes e saj të sapolindur dhe ajo tha: Ju më mbyllët jetën në moshë të re, ndaj unë do e quaj fëminë tim Çil Jetë – Çiljeta.
Qerimeja u dënua me 15 vjet si kryetare e grupit armiqësor me gjyq ushtarak. Tezja, nipi, e babi kryen nga 5 vjet burg secili. Unë qëndrova në maternitet nja dy muaj dhe erdhi gjyshja, firmosi dhe më mori. Një doktor aty, e lajmëroi gjyshen; hajdeni merrni foshnjën se është bërë një plan për ta zhdukur dhe s’keni për ta gjetur më. Qerimeja u dërgua në burgun e Qytetit Stalin si fillim, pastaj në Kosovë Elbasan në repartin 318. Aty ishte dhe tezja, Afërdita. Babi im, Dauti ka qenë në burgun e Burrelit, nipi po ashtu.
Mami im doli në vitin 1983 me dekret të veçantë, se amnistia nuk e zuri, pasi unë dhe gjyshja nuk lamë letra pa bërë. Unë dhe gjyshja që më rriti, mbetëm dyerve të burgjeve, sa në Kosovë, Elbasan dhe në Burrel. Qerimeja ka pasur një sjellje të shkëlqyer në burg, shoqërohej me gratë ruse të dënuara, pasi ajo më ka thënë “kishe ç’mësoje prej tyre”. Mami ka qenë shumë shoqe (motër) me Nadjeshda Sidorovën në burg.
Mami im ka vdekur në 1992, nga një sëmundje e rëndë, ishin pasojat e burgut. Babi po ashtu, ka vdekur pak vite më vonë, në 1997. Të dy shumë të rinj. Unë u rrita si u rrita, ku me bukë e ku pa bukë, se gjyshja s’kishte pension.
Ishim të terrorizuar, gjithmonë kontrolloheshim nga ata të frontit dhe të degës. Mua gjithmonë më thërrisnin reaksionare, kjo fjalë më është ngulitur në kokë. Ne fëmijët e të persekutuarve kërkojme drejtësi morale, që shpirti i atyre që ikën nga kjo jetë me kaq dhimbje, të qetësohet, të prehet në paqe. E kemi për detyrë t’i tregojmë më të rinjve se çfarë i bëri terrori diktatorial, çfarë i bëri intelegjencës shqiptare diktatura terroriste bolshevike”. /KultPlus.com