15 Shtator, 2020 - 8:53 pm
Në Rugovë kanë filluar Lojërat Tradicionale të Rugovës, në kuadër të muajit të Trashëgimisë Kulturore, dhe pikërisht ditën e parë të këtij shënimi, ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Vlora Dumoshi e ka vizituar këtë aktivitet, që e ka quajtur thesar të cmueshëm të kulturës së kësaj treve, por edhe i etnikumit shqiptar në përgjithësi, shkruan KultPlus.
“Lojërat tradicionale të Rugovës janë ruajtur brez pas brezi dhe duke i mbijetuar kohës janë ruajtur e zhvilluar edhe sot nga banorët e kësaj ane. Ansambli folklorik autokton “Rugova” në anën tjetër, në shtatë dekada ka ruajtur vallet, këngët, veshjet e të tjera pjesë të traditës rugovase”, ka shkruar ministrja Dumoshi.
Sipas saj, vlerat artistike të ansamblit janë përcjellë nga brezi në brez nga gjeneratat e artistëve popullorë.
“Kjo krijimtari e shquar jo vetëm nga niveli i lartë artistik, por edhe nga elementi i theksuar etnik, përbën një shtyllë identitare të popullit tonë të lashtë e me botë të pasur artistike dhe estetike. Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duke u bazuar në Ligjin Nr.02/L – 088 për Trashëgimi Kulturore kam marrë vendim që Lojërat Tradicionale Rugova dhe Opusi i Ansamblit folklorik “Rugova” të marrin statusin e mbrojtjes se përkohshme”, ka njoftuar ministrja Dumoshi, e cila ka vlerësuar në fund se trashëgimia kulturore është pasuria jonë me e çmuar dhe ruajtja e saj është misioni ynë më i rëndësishëm./ KultPlus.com