Medalje për Charles Aznavour për ndihmën ndaj hebrenjve gjatë Holokaustit

30 Tetor, 2017 - 9:19 am

Këngëtari i famshëm franko-armen, Charles Aznavour (93 vjeç) kaloi ditë të mbushura me emocion në Izrael, kur gjatë një vizite të shkurtër u nderua nga presidenti izraelit, Reuven Rivlin, dhe nga një fshat izraelito-palestinez për ndihmën e dhënë hebrenjve të kërkuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai mori edhe duartrokitje të zjarrta nga admiruesit e tij gjatë një koncerti në Tel Aviv.

Gjatë fundjavës, Aznavour u prit në Jeruzalem, në rezidencën zyrtare të Rivlin dhe mori medaljen e vlerësimit “Wallenberg” për kurajon e treguar nga ai dhe e motra, Aida, gjatë luftës në Paris, kur familja Aznavourian mikpriti, duke rrezikuar mjaft, shumë hebrenj, armenë dhe aktivistë politikë të ndjekur nga nazistët.

Ndërkohë, fshati Neve’ Shalom i dedikoi një pemë ulliri në kujtim të prindërve të tij, Micha dhe Knar Aznavourian./ KultPlus.com

Të ngjajshme