Memorial për Ibrahim Rugovën, Bytyqi: Jeta dhe vepra e presidentit Rugova paraqitet në tërësi në këtë memorial

2 Dhjetor, 2020 - 2:30 pm

Sot, në shenjë të datëlindjes së presidentit historik të Kosovës, në vendlindjen e tij është përuruar shtatorja e Ibrahim Rugovës, por në të njëjtën kohë është përuruar edhe “Memoriali Ibrahim Rugova”, që konsiderohet të jetë një memorial nacional, shkruan KultPlus.

Arkitekti i këtij projekti Esat Bytyqi në një intervistë për KultPlus ka treguar për këtë memorial të rëndësishëm kulturor, i cili ka treguar edhe për specifikat e këtij projekti që tashmë ka marë formë dhe është i qasshëm për qytetarët e Istogut dhe më gjerë.

“Qëllimi i ndërtimit të këtij memoriali është që të kujtojmë të kaluarën dhe të nderojmë dhe respektojmë arkitektin e shtetit të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova”, ka thënë Bytyqi për KultPlus, i cili ka shtuar se ky memorial tash e tutje duhet të vlerësohet si pika kryesore ku edhe do të kujtohet presidenti Rugova.

“Për herë të parë, qyteti i Istogut do të ketë një muze dhe një shesh qendror, ku si pikëlidhje ka të kaluarën, kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore”, ka thënë ai.

Bytyqi, krenarë për punën që i është besuar, ka kujtuar se presidenti Rugova, me një të kaluar si shkrimtar dhe studiues, afër dy dekada të jetës së tij, punoi për  zgjidhjen e problemit të Kosovës, dhe që nga ajo kohë përcaktonte hapur pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet te pavarur.

“Jeta dhe vepra e presidentit Rugova paraqitet në tërësi në memorial. Jo vetëm vitet ku shërbeu si udhëheqës i popullit të Kosovës por edhe pjesa tjetër e jetës së tij si shkrimtar dhe studiues”, ka thënë Bytyqi, i cili ka njoftuar se sipas këtij projekti, edhe Ministria e Kulturës do të ndajë një buxhet shtesë për artefakte që lidhen me figurën e Rugovës, e që do të vendosen në këtë memorial. 

Bytyqi më pas ka treguar se memoriali ndahet në dy pjese funksionale: pjesa e lartë e hapur ku përfshihet parku dhe sheshi, dhe pjesa e poshtme e mbyllur ku përfshihet muzeu.

“Pjesa e lartë, rreth 1000m2, është një shesh modern me ulëse dhe hapësira që shfrytëzohen nga qytetaret. Me një fjale do të bëhet një park funksional, atraktiv dhe do te jete pikë kryesore e qytetit.  Memoriali ofron një hapësirë modeste, e cila mund të shfrytëzohet si hapësirë publike në formë sheshi-parku si edhe për rekreacione të ndryshme si:  organizimin e koncerteve, ceremonive  të ndryshme, pushimore dhe vendtakim për qytetaret”, ka thënë Bytyqi, i cili shpjegon në detaje se në këtë memorial, përmes xhamave në formë elipse, të cilët janë të vendosur në pjesën e lartë të memorialit, mund të shihet pjesa e poshtme e mbyllur.

“Lidhja me pjesën e poshtme bëhet përmes shkallëve dhe poashtu i tërë kompleksi ka qasje edhe për persona me aftësi të kufizuara”, ka thënë Bytyqi.

Kurse për pjesën e muzeut, arkitekti Bytyqi ka thënë se një pjesë e këtij muzeu është e rezervuar për historinë e qytetit të Istogut,  ndërsa  pjesa tjetër për jetën dhe veprën e presidentit Rugova,  si dhe një hapësirë për ekspozita të ndryshme që paraqiten kohë pas kohe.

Ky memorial i cili është përuruar në praninë e figurave të rëndësishme të Kosovës, duke përfshirë edhe kryeministrin Avdullah Hoti dhe vajzën e presidentit Rugova, Teuta Rugova, po konsiderohet si një ndër projektet që do të zhvillojë turizmin në Komunën e Istogut, dhe si i tillë është në harmoni me planin urbanistik të këtij qyteti. /KultPlus.com

Të ngjajshme